-sidi education-spot_img
5.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Ekskluzive/ Dokumenti që rrëzon alibinë e Ramës për pagesat e inceneratorëve

Kryesoret

Dosja e inceneratorëve është më e “nxehta” që drejtësia shqiptare ka në dorë për momentin. Brenda tre muajve në burg kanë shkuar një ish-ministër dhe një ish-deputet, por edhe zyrtarë të niveleve më të ulëta, mes tyre tre drejtorë dhe funksionarë të tjerë të shtetit dhe kompanive që fituan kontratat për të ndërtuar tre inceneratorët në Fier, Elbasan dhe Tiranë. Për dy të parët, impiantet e trajtimit të mbetjeve në Fier dhe në Elbasan hetimet hapën rrugën e burgut, ndërsa ende jo për Tiranën edhe pse fakti që SPAK i sekuestroi pasurinë babait të ish-deputetit Alqi Bllako tregon se procedurat edhe për këtë incenerator, ku ai ishte punësuar janë në syrin e prokurorëve të SPAK-ut.

Por ndërsa drejtësia po vepron, edhe pse me hapin e breshkës, dy pronarët e kompanive që ndërtuan inceneratorët, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja pavarësisht se janë në kërkim, vijojnë që të marrin para sipas kontratës nga buxheti i shtetit sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Pyetja që të gjithë shtrojnë me të drejtë, është se përse nuk pezullohen pagesat për dy njerëz që janë në arrati? Deri tani, qeveria ka “larë duart” duke mos e cilësuar dosjen aferë, por hetimi në këtë shkallë të gjerë dhe çuarja pas hekurave e një ish-ministri dhe ish-deputeti nuk mund të mbulohet kaq lehtë.

Justifikimi i qeverisë për pagesat

Në datë 30 dhjetor të vitit të kaluar, kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria do të vazhdojë t’i paguajë kompanitë e inceneratorëve edhe pse pronarët e tyre janë shpallur në kërkim nga SPAK për korrupsion aktiv dhe pastrim parash. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shpreh se administrata duhet të zbatojë kontratën ligjore pa paragjykuar nëse personat përfitues janë në hetim. “Përgjigjia e ministres është përgjigjia e duhur sepse janë marrëdhënie kontraktuale të cilat imponohen nga ligji për të vazhduar deri kur të ketë vendime të formës së prerë nga gjykatat. Janë marrëdhënie kontraktuale që duhet të zbatohen derisa të flasë drejtësia”, tha Rama.

Kontrata

“5pyetjet.al” ka siguruar kontratën e firmosur nga shteti shqiptar me kompanitë e inceneratorëve që rrëzojnë argumentin e kryeministrit dhe ministres për pagesat që vijojnë që të bëhen për kompanitë e inceneratorëve, pronarët e të cilëve janë në kërkim ndërkombëtar. Në nenin 4 që parashikon praktikat e korruptuara në dokumentet standarde të koncesionit/ PPP, është mjaft e qartë që qeveria shqiptare ka mundësi që të ndalojë pagesat për inceneratorët.

Cfarë thotë neni 4?

Në pikën 1 të këtij neni, theksohet se “Autoriteti Kontraktor mund t’i kërkojë giykatës të deklarojë të paligjshme kontratën nëse zbulon se kontraktori ka kryer veprime të korruptuara.

Pika e kontratës që qeveria mund të pezullojë pagesat për inceneratorët

Veprimet e korruptuara përfshijnë veprimet e përshkruara në Nenin 26 te Ligjit mbi Prokurimin Publik” thuhet në dokumentin e kontratës që “5pyetjet.al” e zotëron.

Akuzat

Në dhjetor të vitit të kaluar SPAK shpalli në kërkim Stela Gugalljan, pronare e kompanisë “Albtek Energy” të inceneratorit të Elbasanit dhe Klodian Zoton, pronar i ITS, dy persona që u shfaqën nga asgjëja gjashtë vite më parë për të përfituar me propozim të pakërkuar tre koncesione të mëdha për trajtimin e mbetjeve urbane në Elbasan, Fier dhe Tiranë. Të dy pronarët e kompanive i janë fshehur drejtësisë, ndërsa thesari i shtetit vijon të bëjë pagesa për kompanitë e tyre.

SPAK nga hetimet zbuloi se është shkelur ligji gjatë procedurës së ndjekur për dhënien e koncensionit dhe lidhjen e kontratës me shoqërinë “Albtek Energy” sh.p.k, me negocim dhe pa shpallje paraprake të njoftimit. Organi i akuzës thotë se leja koncesionare dyshohet se është marrë nëpërmjet ryshfetit, ndërsa kompania me pronare Stela Gugalljen, i lëshonte fatura fiktive për punë të pakryera kompanisë së Klodian Zotos. Për këto akuza dy Zoto dhe Gugallja janë në kërkim, por shteti i paguan, edhe pse e ka në dorë mekanizimin për t’i bllokuar.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit