Tifozët që do të hynë në stadiumin “Air Albania” do ti nënshtrohen një kontrolli të rreptë.
Ata do të jenë të pajisur me një biletë elektronike. Çdo person që ka biletën, e disponon atë në telefonin e tij dhe kjo biletë është e pajisur me një “QR Code”, i cili aktivizohet në pjesën e jashtme të stadiumit dhe në pjesën e brendshme të stadiumit bëhet i vlefshëm. Çdo tifoz, me këtë biletë është i sigurt që mund të hyjë. Duke qenë elektronike, kjo biletë as nuk mund të kopjohet dhe as nuk mund të falsifikohet.
Tifozët nuk duhet të kenë çanta më të mëdha se formati i një letre A4 dhe për këtë qëllim do të vendosen dy vende depozitimi çantash, ku njëra do të qëndrojë tek Universiteti Politeknik dhe tjetra te hotel “Rogner”, ku do të ketë vullnetarë që do të kujdesen për këtë pjesë dhe tifozët mund t’i rimarrin pas ndeshjes. Gjëra të tjera që tifozët nuk duhet të kenë me vete janë fishekzjarrët, dritat lazer, shishet e ujit ose pije të tjera.