Qeveria e Shqipërisë dhe Greqisë janë drejt rinovimit të Paktit të miqësisë, bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë dhe sigurisë pas propozimit të Athinës, sipas mediave të vendit fqinj.
Pakti i firmosur për herë të parë në 1996 dhe më pas i rinovuar në 2018, tashmë po sipas mediave pas propozimit të Athinës pritet që të rinovohet edhe me 5 vite të tjera.
Por a është kjo një lëvizje e Greqisë për të treguar se mes dy vendeve ka një pakt miqësie në fuqi dhe në këtë mënyrë shtyhet sërish pa fund heqja e ligjit të luftës?
Për të folur mbi këtë çështje, “5pytetjet.al” kontaktoi zotin Paskal Milo, historian, njohës i mirë i raporteve mes dy vendeve dhe ish-ministër i Jashtëm.
Ai tha se një ide mund të jetë fakti që Greqia, brenda paktit mund të fusë pikën e heqjes së ligjit të luftës duke e çuar më pas në parlament, pra jo si një pikë të vetme, por çështjen kryesore brenda paktit.
Intervista me zotin Paskal Milo për “5pyetjet.al”
Zoti Milo, a është rinovimi i paktit një mënyrë që Greqia ende të fshihet duke mos hequr ligjin e luftës?
Pakti ka mbaruar ka vite. Efektet. Pakti u firmos në mars të 1996 dhe pakti mesa di unë ishte për 20 vite. Kështu që pakti ka mbaruar për 20 vite.
Në 2018 është bërë një rinovim me 5 vite dhe tani po përgatitet i riu…
Unë e kuptoj. Ideja tani është diskutuar si një mënyrë për të hequr ligjin e gjendjes së luftës duke e futur në këtë traktat të paqes. Në këtë paktin e miqësisë. Është diskutuar si një mënyrë për ta hequr. Meqenëse ka vështirësi ose mund të ketë vështirësi për ta miratuar, për ta hequr përmes një vendimi të parlamentit, mund të ndiqet kjo formë, që të zërë vend në një traktat, pakt që nënshkruhet mes dy vendeve dhe pakti është forma më e lartë e një marrëveshje ndërkombëtare.
Brenda këtij pakti, mund të bëhen ndryshime duke futur heqjen e ligjit të luftës?
Ky është një interpretim që bëj unë si një mënyrë që mund të bëhet për të hequr ligjin e luftës përmes firmosjes së një pakti të ri. Dhe aty të jetë edhe klauzola e heqjes së ligjit të luftës.
Por përse specifikohet për 5 vite?
Nëse bëhet fjalë për rinovim, paktet nuk rinovohen, vlera e një pakti nuk është për pesë vite, por efektet tranzitore të një pakti, mund të zgjasin për 5 vite, ndërsa efektet ligjore nuk ka kufizime vjetore. Nëse do të thuhet në këtë pakt, që ligji i luftës me nënshkrimin e këtij pakti merr fund, kjo e zgjidh përgjithmonë, merr fund. Traktati do të shkojë në parlament. Por nuk shkon vetëm një cështje si ligj lufte, por një kuadër traktati për t’u ratifikuar.
Nëse e ka këtë pikë, nëse nuk e ka mbetemi sikur jemi?
Po.









