Komisioni Evropian do të miratojë më 12 tetor paketën vjetore të zgjerimit dhe raportet e progresit për secilin nga vendet e përfshira në këtë proces.
Sipas burimeve të BE-së në Bruksel, raportet e sivjetme do të jenë një përzierje e elementeve pozitive, por edhe e shqetësimeve për mungesë të progresit në disa fusha, si dhe e disa dështimeve.
Komisioni Evropian pritet të përmendë nisjen e negociatave të anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut si zhvillimin kryesor pozitiv në procesin e zgjerimit të bllokut me rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Me vite, këto dy shtete kandidate kanë qenë në pritje të nisjes së negociatave, edhe pse, sipas Komisionit Evropian, i kanë pasur të përmbushura të gjitha kushtet.
Greqia ka hequr në verë pengesën e fundit ndaj Maqedonisë së Veriut, e cila ka pasur të bëjë me disa mospajtime rreh gjuhës dhe identitetit. Rrjedhimisht është hapur rruga edhe për Shqipërinë, meqë dy vendet kanë qenë në paketë qysh në fillim.
Një gjë të tillë, Komisioni e ka shprehur edhe në një letër dërguar vendeve anëtare javën e shkuar, në prag të diskutimeve që do të zhvillohen më 13 tetor në grupin punues për vizat në Këshillin e BE-së.
Nga porositë politike për rajonin e Ballkanit pritet, po ashtu, që Komisioni të ftojë Kosovën dhe Serbinë që të bëjnë përparim në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, që do të çonte drejt arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse./REL









