-sidi education-spot_img
14.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Shaban Murati: Mund t’i kujtoni qeverisë socialiste mëkatet e saj ruse

Kryesoret

Një ambasador shqiptar, në një takim nga fundi i vitit të kaluar me një diplomat të lartë të ambasadës së SHBA në Tiranë, duke analizuar spektrin politik shqiptar dhe faktorët që ndërthuren në të, foli edhe për ndikimin e lobit rus në politikën shqiptare. Kur diplomati amerikan shprehu interes të njihej diçka më gjerë me këtë temë, ambasadori shqiptar me kortezi diplomatike u përgjigj : “ Ata do të dalin vetë”.

Parabola e diplomatit shqiptar mbi lobin rus në Tiranë përbën një nga enigmat e politikës shqiptare, të cilën e kanë të vështirë ta kuptojnë disa diplomate perëndimorë ose e neglizhojnë disa të tjerë. Në rrethet diplomatike në kryeqytetin shqiptar janë të pakët ata, që rrinë të mendojnë pse qeveritarët e Tiranës në mënyrë frekuente në takimet dhe bisedimet diplomatike me të dërguarit e shtetit  rus evokojnë miqësinë e vjetër shqiptaro-sovjetike të kohës komuniste, periudhë kur  Shqipëria ishte satelit dhe bazë ushtarake e Moskës dhe e cila nuk mund të shërbejë si bazë për raportet e sotme shtetërore dypalëshe.

Në rrethet diplomatike në Tiranë shkaktoi një habi të pazakontë dhe nxiti disa analiza një apologji e politikës dhe e diplomacisë ruse në Kosovë e Shqipëri, apologji që u shfaq para pak ditësh në gazetën “Shekulli” nën titullin  “ Planet e paqes dhe krimet e luftës “, me firmën  e këshilltarit kryesor të presidentit të Shqipërisë. Interesimi erdhi nga fakti se apologjia shndërrohet në mendim  zyrtar nën firmën e këshilltarit të presidentit shqiptar dhe se ai, në mënyrën më të pagjetur diplomatike e propagandistike, kishte zgjedhur temën  dhe çështjen më të papërshtatshme, ku mund të mbrohej diplomacia ruse, e cila ka manifestuar në muajt e fundit, më hapur se kurrë qysh nga  viti 1878, armiqësinë e saj ndaj çështjes shqiptare.

Detyra, që merr përsipër  këshilltari i presidentit shqiptar për të mbrojtur politikën dhe diplomacinë ruse në Ballkan dhe në çështjen e Kosovës, është sa e rëndë, aq edhe sinjifikative për të kuptuar sado pak enigmën  ruse të politikës shqiptare. Ajo që e bën më interesante çështjen është fakti se nga pikpamja diplomatike e profesionale, plani i ministrit të jashtëm rus, Ivanov, për Kosovën, që këshilltari ka zgjedhur si themel të apologjisë së tij për diplomacinë ruse, është plani më pangjyrë  dhe më i dobët në morinë e atyre dhjetra planeve, që janë hartuar këto katër muaj për Kosovën dhe pikërisht për këtë ai nuk pati as jehonën më të vogël në kancelaritë diplomatike dhe u injorua nga diplomacia botërore.

Kjo të çon tek konkluzioni se qëllimi i këshilltarit të presidentit shqiptar nuk është plani, të cilin edhe atë ai nuk ka arritur ta kuptojë si duhet, por është thyerja e atij zemërimi dhe përbuzjeje, që ka fituar në Shqipëri dhe tek shqiptarët, Rusia me qëndrimin dhe diplomacinë e saj për Kosovën. Vetë fakti se këshilltari i presidentit i vesh planit rus ide e qëllime, që Ivanovi vetë nuk i ka , tregon se objektivi nuk është aq shumë plani rus, sesa apologjia për Rusinë.

Në pikën e parë të planit të tij për Kosovën, ministri i jashtëm rus thotë tekstualisht  “ndërprerje e menjëherëshme e operacioneve ushtarake “,  ku Rusia, siç e kanë thënë çdo ditë rusët dhe siç e dinë edhe ata që nuk kanë nevojë ta dinë, kërkon ndërprerjen e bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë. Kurse këshilltari presidencial , nga vetja e tij krijon një stil letrar dhe shkruan se “ ky plan njeh faktin se regjimi serb ka kryer krime të rënda kundër popullsisë civile në Kosovë . Këto krime i ka kryer makina ushtarake dhe paraushtarake serbe “.

Ministri i Jashtëm rus, Ivanov, flet në mënyrë gjenerike për një prani të pacaktuar dhe jo vetëm kaq, por kërkon në pikën e dytë të planit edhe largimin e forcave të NATO-s nga Shqipëria  e Maqedonia , ndërsa këshilltari i presidentit, gjithmonë në stilin krijues, thotë se plani ka lëvizur pozitivisht edhe në drejtim të pranimit të forcës ndërkombëtare. Dhe  nuk i thotë lexuesit se Ivanovi vë kushtin serb të ruajtjes së “integritetit të Jugosllavisë.”

Duke i lejuar  vetes të tundohet nga koncepti i vjetër propagandistik  se shqiptarët  nuk dinë se  çfarë përmban plani i Ivanovit per Kosovën,  këshilltari i presidentit shqiptar koleksionon një sërë glorifikimesh për politikën dhe diplomacinë ruse si “ plani rus prej gjashtë pikash i shpallur nga ministri i Jashtëm, Ivanov,  përbën një zhvillim cilësor të diplomacisë ruse në raport me krizën… Rusia ka lëvizur  pozitivisht…Ajo nuk mund të sakrifikojë demokracinë e re  ruse dhe përpjekjet e mëdha  të atij vendi për të dalë nga lufta e ftohtë për hir të Sllobodan Millosheviçit”, etj, etj.

Deri në momentin, kur këshilltari i presidentit shqiptar merret vetëm me planin e ministrit të Jashtëm rus, ekspertët diplomatikë apo politikë mund të arrijë në konkluzionin se ai ose nuk e njeh planin, ose nuk e kupton sa dhe si duhet, ose nuk njeh kuadrin e zhvillimeve  diplomatike të krizës së vitit të fundit në Kosovë. Mirpo kur ai hyn më thellë dhe e shtrin apologjinë e tij në krejt politikën e Rusisë ndaj Shqipërisë, kuptohet se diplomatët, që ndjekin çështjet shqiptare, nuk mund të mos i japin kuptim dhe përmbajtje tjetër apologjisë, që mban firmën e këshilltarit të kryetarit të shtetit.

Duke marrë mbi vete një barrë propagandistike, jo të lehtë në Shqipëri, dhe duke u përpjekur të kombëtarizojë prirjet e tij, këshilltari  bën përgjithësimet se në Shqipëri roli i Rusisë për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë është konsideruar me realizëm dhe se shpresat, që presidenti reformator Boris Jelcin nuk mund t’ua nënshtronte parimet universale të demokracisë ndjenjave proserbe, kanë ekzistuar dhe ekzistojnë.

Pra nje mendim politik të tijin apo të presidencës, ai kërkon ta shndërrojë në një parim, ku të mbështesë jo vetëm apologjinë për Rusinë, por edhe diçka më gjerë. Në mënyrë të menjëherëshme, ai kalon në planin e marrëdhënieve shtetërore dypalëshe shqiptaro-ruse, ndonëse kjo nuk ka anjë lidhje me temën, që ai po trajton. Ai evokon  në mënyrë glorifikuese vizitat në Tiranë të ministrit të Jashtëm rus, Ivanov, dhe të delegacionit të parlamentit rus, të kryesuar nga nënkryetari Barburin, në prag të raundit të dytë të Konferencës së Rambujesë për Kosovën. Si delegacioni i parë , ashtu dhe i dyti rus, siç është e njohur nga gjithë ata, që kanë marrë pjesë në bisedimet, këmbëngulën në dy kërkesa të thjeshta antishqiptare: që të mos pranohet referendumi pas periudhës trevjeçare kalimtare në Kosovë dhe të mos pranohej një forcë ushtarake ndërkombëtare e udhëhequr nga NATO për implementimin e marrëveshjes.

Duke u nisur gjithmonë nga koncepti se shqiptarët nuk dinë gjë, këshilltari presidencial ngre tonet e patetizmit të tij prorus, duke reklamuar frymën  e dashjes së ndërsjellë dhe për mirëkuptimin e bashkëpunimin për zgjidhjen e krizën dhe se asgjë nuk e cënoi “bazën e bisedimeve”. Ai eviton të shpjegojë se ç’është kjo “bazë e bisedimeve shqiptaro-ruse, që nuk u cënua”, siç nuk ka guximin t’i thotë lexuesit se pas disa ditësh, me udhëzimin e Ivanovit, përfaqësuesi i Rusisë në Konferencën për Kosovën në Paris, refuzoi të vinte nënshkrimin e vet, në një kohë kur në marrëveshje e vunë firmen e tyre përfaqësuesi i SHBA , Kris Hill, dhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, V.Petriç. Siç nuk ka guximin t’i thotë lexuesit se Barburini, nga i cili këshilltari ka  ngelur  aq i mallëngjyer, sapo u kthye nga Tirana në Moskë, kërkoi që parlamenti rus të votonte  për të dërguar armë dhe vullnetarë rusë në Kosovë për të luftuar kundër shqiptareve.

Apologjia e politikës dhe e diplomacisë rusë për Kosovën, me firmën e këshilltarit te presidentit shqiptar, u publikua në një kohë kur presidenti Meidani ishte në Uashington për të marrë pjesë në samitin e NATO-s, që hapej pikërisht atë ditë. Mëdyshjet, që enden në rrethet diplomatike, janë se, ose presidenti Meidani nuk ka dijeni dhe këshilltari paraqet vlerësime në kundërshtim me qëndrimet dhe vijën e presidentit, i cili kishte shkuar në Uashington pikërisht për të bindur perëndimorët për orientimin atlantik, ose presidenti Meidani e dinte, dhe luante me dy partitura: Njërën, atë perëndimore, e ekzekutonte ai në Uashington, ndërsa tjetrën, atë ruse, e ekzekutonte këshilltari i tij kryesor. Gjërat do të mbesin të paqarta, derisa vetë presidenti Rexhep Meidani të prononcohet për këtë.

Mirëpo edhe për këtë, diplomatët e interesuar në Tiranë e dinë se do të duhet të presin gjatë, sepse stili presidencial ka qenë ai i heshtjes letargjike. Për diplomatët e huaj këtu ka mbetur e pashpjegueshme pse presidenca shqiptare nuk ka reaguar asnjëherë ndaj  Rusisë gjatë gjithë kronikës diplomatike të krizës së gjatë në Kosovë, që nga marsi i vitit  të kaluar  e deri tani, periudhë kur Moska ka mbajtur një qëndrim konstant dhe agresiv antishqiptar e antikosovar. Presidenca shqiptare nuk reagoi kur Rusia dërgoi  luftanijet e veta në detin Jon për të protestuar kundër bombardimeve të NATO-s.

Nuk reagoi edhe kur Moska drejtoi raketat  kundër vendeve pjesëmarrëse në aksionet ajrore dhe vendeve, ku kishte trupa të NATO-s, si Shqipëria. Nuk reagoi presidenca shqiptare as kur Moska kërcënoi me ndërhyrjen e saj ushtarake në rast të zbatimit të planit tokësor te NATO-s. Nuk reagoi as në votimin  nga parlament serb dhe kërkesën nga Duma ruse të planit të bashkimit të Serbisë me Rusinë. Po t’i shtojmë kësaj edhe projektin e Shqipërisë për të përfunduar Traktatin e Miqësisë me Rusinë, i cili po pret vetëm firmën e Meidanit në vizitën e tij të ardhëshme në Moske, lista e analizave rreth raporteve te Tiranes me Rusinë bëhet shumë e gjatë.

Këto paraqesin një vijë qëndrimi, e cila konturon praninë dhe ndikimin e një lobi rus në politikën shtetërore shqiptare. Nëse  do të përsëritej takimi i ambasadorit shqiptar me diplomatin e lartë të ambasadës amerikane në Tiranë, që përmendëm në fillim të shkrimit, ai me siguri tani do t`i përgjigjej : “ Lobin rus kërkojeni në presidencë.”

Mund  të supozohet se apologjia proruse e këshilltarit kryesor të presidentit shqiptar mund të jetë produkt i temperamentit letrar. Mirëpo edhe në këtë dimension , vështirë të gjesh ndonjë indulgjencë. Presidenti i Çekisë dhe dramaturgu i njohur e simboli i lirisë së mendimit, Vaclav Havel, me datën 29 prill, pra para dy ditësh , në  parlamentin e Kanadasë  mbajti një fjalim, ku kritikoi  politikën  e  Rusisë për Kosovën.  Kur  presidenti dhe letrari  Havel, duke qenë çek dhe duke folur në parlamentin e një vendi  të largët si Kanadaja , e quan obligim të kritikojë Rusinë për  Kosovën, çfarë do të mbetet për të thënë  kur këshilltari kryesor i presidentit shqiptar, duke qenë shqiptar, gjen guximin t’i bëjë apologji në mes të Tiranës politikës ruse për Kosovën. Do të mbetej vetëm të përsëritej : “Lobin rus e keni në presidencë “.

Botuar 02.05.1999

Libri “Hije në diplomacinë shqiptare”, 2012, fq.79

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit