-sidi education-spot_img
10.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Janusz Bugajski: Serbia po i dhuron Rusisë një “kartë ballkanike” kundër Perëndimit

Kryesoret

Viti i ardhshëm do të jetë një provë me rrezikshmëri për Ballkanin Perëndimor, pasi Beogradi dhe Moska po i fryjnë sërish thëngjijve të luftës. Qeveritë perëndimore janë përballë një zgjedhjeje të vështirë: të lejojnë politikanët ambiciozë serbë dhe padronët e tyre në Kremlin të çojnë rajonin drejt një tjetër konflikti të armatosur apo t’i privojnë ata nga mjetet që shkaktojnë gjakderdhje.

Shkëndijat e luftës janë më të dukshme në Kosovë, në Mal të Zi dhe në Bosnje-Hercegovinë, tre objektivat e ndërtimit të mini-perandorisë serbe. Metodat e destabilizimit mund të mos jenë të njëjtat në raste të ndryshme, por objektivi është i qartësisht një: vendosja e hegjemonisë rajonale të Beogradit dhe zgjerimi i kufijve të Serbisë.

Qasja graduale (e mëparshme), muajt e fundit, është përshpejtuar, për shkak të vendimit të Moskës për të nxitur luftë në Ballkan, në mënyrë që të krijojë probleme për NATO-n, në një kohë kur Rusia vazhdon të humbasë terren në Ukrainë.

Për Kremlinin, destabilizimi i Ballkanit është një ndërmarrje me kosto të ulët. Moska i jep Beogradit dhe Banja Llukës mbështetje diplomatike, financiare, propagandistike e dezinformuese si dhe armatime, provokatorë e banda të armatosura.

Metodat e Rusisë për destabilizimin dhe nënshtrimin e fqinjëve janë shembuj të vlefshëm edhe për Serbinë, që ndjek po të njëjtat strategji: përçarjen, përshkallëzimin dhe sundimin. Të tri këto do të provokojnë reagime nga kundërshtarët e Serbisë, çfarë mund të çojë në dhunë të drejtpërdrejtë.

Së pari, strategjia e përçarjes duket qartazi në përpjekjet për mobilizimin e pakicën serbe në Kosovë, për të ngjallur frikë dhe për të shkaktuar armiqësi ndëretnike. Ngritja e barrikadave, sulmet ndaj gazetarëve, rekrutimi i detyruar i serbëve vendas dhe shkatërrimi i pronës janë pjesë e kësaj metodologjie.

Proceset përçarëse janë të evidentueshme edhe në Mal të Zi, përmes Kishës Ortodokse Serbe, forcave speciale dhe radikalëve nacionalistë që sfidojnë pavarësinë e Podgoricës.

Në Bosnje-Hercegovinë, mjeti kyç i përçarjes është entiteti serb. Me premtime për përfitime territoriale, Beogradi ka përfshirë në këtë edhe nacionalistët kroatë.

Së dyti, në mënyrë që të kenë ndikim mbi zyrtarët perëndimorë, Vuçiçi dhe komandanti i entitetit serb të Bosnjes, Millorad Dodik, janë angazhuar në një strategji përshkallëzimi. Duke kërcënuar me ndërhyrje të armatosur ose shkëputje politike, ata kërkojnë lëshime nga BE-ja dhe ShBA-ja dhe më pas gjenerojnë cikle të mëtejshme destabilizimi.

Përshkallëzime të tilla largojnë vëmendjen nga problemet thelbësore, që janë mosnjohja e shtetësisë së Kosovës nga Beogradi dhe kundërshtimi i integritetit të Bosnjës nga Banja Lluka.

Strategjia e tretë serbe e sundimit është hartuar në mënyrë të tillë që të marrë pak nga pak nën ombrellën e Beogradit shtetet fqinje, qoftë me varësi ekonomike përmes projektit të Ballkanit të Hapur, qoftë me varësi politike përmes pakësimit të sovranitetit (të tyre), ose përmes përvetësimit të drejtpërdrejt territorial.

Periodikisht, pretendohet copëtimi i Kosovës dhe i Bosnjës, në mënyrë që të testohet vendosmëria ndërkombëtare dhe që Kroacia dhe Shqipëria të përfshihen si bashkëpunëtore në ndryshimet e kufijve dhe përfitimet territoriale që i vlejnë kryesisht Beogradit.

Që të mposhtin strategjinë tredimensionale të Beogradit, udhëheqësve perëndimorë u duhet të fusin në punë tre armë efektive: në prizmin diplomatik, atë ushtarak dhe atë ekonomik. Në frontin diplomatik, Kosovës, Bosnjës dhe Malit të Zi nuk duhet t’u bëhet presion që t’i hapin rrugën etno-nacionalizmit. Një shembull parësor është presioni që i bëhet Prishtinës për të pranuar ndarjen territoriale duke lejuar krijimin e një entiteti serb, të ashtuquajturin “asocacioni i komunave”, i cila do t’i ngjajë Republikës Sërpska në Bosnje.

Formimi i çfarëdo ndarjeje me bazë etnike është, në të njëjtën kohë, ftesë për destabilizm më të thellë antiperëndimor nga Rusia.

Në arenën ushtarake, mënyra më efektive për parandalimin e destabilizimit të Kosovës është që NATO të tregojë fuqinë e vet, çfarë do i mundësonte Prishtinës të zbatojë ligjin dhe të vendosë rendin në mbarë vendin. Një mësim i dhënë nga NATO në Kosovë do i vlente edhe operativëve të Beogradit në Mal të Zi dhe Bosnje.

Përveç kësaj, si Kosova ashtu edhe Bosnja kanë nevojë për një rrugë drejt anëtarësimit në NATO. Po ashtu, aleatët e Kroacisë në NATO duhet të mbështeten te Zagrebi, në mënyrë që përmes zgjerimit të NATO-s, të shtohet siguria.

Në sferën ekonomike dhe institucionale, BE-ja duhet të deklarojë se do të ndërpresë të gjitha rrjedhat e të ardhurave dhe perspektivat e anëtarësimit të Beogradit, nëse Vuçiçi vijon të ndjekë agjendën e përçarjes, përshkallëzimit dhe sundimit rajonal.

Nga ana tjetër, krahas njohjes nga pesë vendet (e tjera) të BE-së, Kosova ka nevojë për një rrugë më të qartë drejt anëtarësimit në Union. Izolimi institucional dhe ekonomik i Serbisë nga ana e Evropës, do të përforcohet nga rënia e përshpejtuar e Rusisë, e cila është përballë katastrofës ekonomike dhe copëtimit të shtetit e, kështu, do të ketë mundësi më të pakta për të ndihmuar Serbinë.

Prania zhbërëse e Rusisë duhet të luftohet edhe në mënyrë aktive. Një pikënisje e mirë do të ishte që NATO të kërkonte që vendndodhja e inteligjencës ruse në Nish, që tregohet si “qendër humanitare”, të mbyllet ose Beogradi do të përballet me ndërprerjen e çdo kontakti të dobishëm ushtarak.

Me mundësimin e depërtimit të Rusisë në rajon, Vuçiç po bashkëpunon në luftën kundër Ukrainës, duke i dhuruar Moskës “një kartë ballkanike” në luftën e saj me Perëndimin.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit