Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në unazën e qytetit të Elbasanit ku një makinë ka përplasur 20 vjeçarin Fiori Sula ndërkohë që ky i fundit po kalonte rrugën.
I riu nuk mundi t’i mbijetonte përplasjes së fortë, duke ndërruar jetë gjatë rrugës në spital. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, i riu Fiori Sula 20 vjeç ka qenë duke kaluar te vijat e bardha, kur mjeti ka ardhur me shpejtësi dhe e ka përplasur.
Ngjarja ka ndodhur pranë nënkalimit të hekurudhës, në një vend ku kanë ndodhur mjaft aksidente me vdekje. Policia është vënë në ndjekje të drejtuesit të automjetit që është larguar nga vendngjarja menjëherë pas aksidentit të rëndë.