Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj theksoi se Forumi Shqiptar do të vazhdojë të përfaqësojë shqiptarët në Mal të Zi.
Forumi Shqiptar u bëri thirrje votuesve dhe simpatizantëve të tyre që të ushtrojnë të drejtat e tyre qytetare dhe të votojnë në zgjedhjet presidenciale.
Kjo parti politike beson se shqiptarët në Mal të Zi kanë dhënë një kontribut të madh në të gjitha proceset demokratike të zhvillimit të shtetit malazez.
“Duke votuar dhe mbështetur partitë me shumicë shqiptare, ne shprehëm qëndrimin se shqiptarët përfaqësohen vetëm përmes partive kombëtare. Besojmë se edhe në zgjedhjet presidenciale, pa presion dhe tutorë se si të veprojnë, ata do ta dinë se si të votojnë,” thuhet në deklaratën e nënshkruar nga kreu i partisë, Gjeloshaj.
Ky i fundit theksoi se Forumi Shqiptar do të vazhdojë të përfaqësojë shqiptarët dhe se do të bashkëpunojë në mënyrë të përhershme me strukturat politike partnere të BE-së, SHBA-së dhe aleancës së NATO-s, si dhe për marrëdhënie të mira me Shqipërinë dhe Kosovën dhe në radhë të parë me partitë që promovojnë rrugën properëndimore të Malit të Zi.
Ndryshe, zgjedhjet presidenciale do të mbahen më 19 mars të këtij viti.