-sidi education-spot_img
25.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Bedri Islami: Humnera e së keqes që vjen nga politika

Kryesoret

Është e pabesueshme me sa pasion e gjurmon, e ndjek dhe e stër-rrit të keqen politika e ditës në Shqipëri. Ndoshta si askund tjetër. Ka një çmendje pas saj, deri në detajet më të skajshme; e kërkon edhe ku nuk është; e sajon edhe kur nuk ka ndodh; e madhon edhe kur është diçka e zakonshme, e hedh në tregun e ideve edhe kur nuk ka asnjë ide; e bën plaçkë lufte, edhe pse ka ndodhur diçka rutinë, për të cilën as fëmijët e lagjes nuk zihen.

Disa ditë më parë u vra në resortin e tij një biznesmen, i futur në politikë, kësaj here me socialdemokratët, gjë e dhimbshme, që nuk duhej të kishte ndodhur. Një klan i tërë i politikës së opozitës, prirë nga lideri i tyre i Foltores vrasësit i gjetën në dy njerëz: njëri drejtues i Bashkisë së Lezhës, dhe, tjetri, shefi i qeverisë. Kur ende nuk kishte folur asnjë strukturë e specializuar, Berisha gjeti vrasësit, motivet, si zakonisht politike, krijoi një trupë mafioze që pështillej në vrasje, gjeti elementët politikë dhe dha dënimin.

Nuk flitej për një shportë vezësh, por për një jetë njeriu, që, po të besohej, do të ndillte pas vetes vrasje të tjera, të cilat, ashtu si ka ndodhur edhe më heret, mund të merrte pas vetes dhjetra jetë të tjera.

Të vjetrit thonin se, “më i keq gërgasi, se sa dorasi”. Është bërë e zakonshme ndjellja e së keqes, krijimi i një humnere të saj, ku brenda mund të mbyllen jetë njerëzish, dhe, nga e cila, politika, që e ka hapur humnerën, vazhdon të hapë humnera të tjera, pa pasur asnjë përgjegjësi për fjalën e hedhur, që, në shumë raste, nga organet e specializuara të drejtësisë, ose nuk merret parasysh, ose gjykohet se është thënë në kuadër të “luftës politike”. Ose, edhe më tej, në emër të “fjalës së lirë”.

Liria e gjithësecilit prej nesh mbaron aty ku shkelet liria e dikujt tjetër. Foltorja, në trupën e saj të lartë drejtuese, pa asnjë ndjenjë përgjegjësie qytetare, mund të shkelë dinjitetin e gjithkujt, të nëpërkëmbë nderin, ta shpallë vrasës apo hajdut, mafioz apo trafikant ndërkombëtar, dhe, në fund të fundit, askush, askush nga organet e specializuara nuk i bën pyetjen më të thjeshtë: ku i keni faktet?

Njeriu mban përgjegjësi për fjalën e tij dhe nuk abuzon me të drejtën e lirisë së fjalës. Nëse do të ishte kaq e lirë rruga e pa përgjegjësisë, si mund të ndjehen, ta zëmë njerëz të Foltores, nëse dikush, apo edhe unë vetë, do u thosha se nga veprimet e tyre mizore, sidomos në shtator 1998, në grushtin e shtetit, nuk janë humbur jetë në Shqipëri, por janë humbur jetë në Kosovë, sepse përçarja e rradhëve të luftës erdhi më shumë nga Tirana, dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi.

Se njerëzit që sot përbëjnë kreun e Foltores janë të njëjtët që mbështetën renegatët, pasi, kur kishin qenë në pushtet kishin burgosur çlirimtarët. Po sikur t’u them se edhe vrasjet e vellezërve Haklaj, më shumë se me luftën për pushtet që bëhej në Tiranë kishte lidhje me rrjeshtimin e tyre në dobi të UÇK-së, kur bashibozukët e Azem Hajdarit prisnin rrugën e djemve të logjistikës pasi kishin marrë një milion marka gjermane nga qeveria Bukoshi, pikërisht për këtë akt?!

Po sikur të krijohej një trupë gjykimi, të paktën e ndergjegjes për të saktësuar se sa djem e vajza të Kosovës humbën jetën duke pritur armët që nuk vinin, sepse bandat e Foltores u zinin rrugët dhe nuk lejonin as Ilir Konushevcin, as Qerim Kelmendin, as Mujë Krasniqin, as Rexhep Selimin, as Kadri Veselin e Hashim Thaçin, të bënin atë pjesë të detyrës që kishin ndaj vendit të tyre!?

Pak kush e di se sa jetë njerëzore ka kushtuar bllokimi i logjistikës për djemtë e Kosovës, bllokime që bëheshin nga bandat e organizuara nga Hajdari, megjithëse ai ka sot më shumë monumente edhe se Bajram Curri, Isa Boletini dhe Hasan Prishtina të marrë sëbashku!! Sepse neve na josh e keqja!

Në Shkodër, ku përballen dy njerëz të njohur, megjithëse të ndryshëm nga njëri tjetri, thuajse në gjithçka, është gjetur alibia për të mos e dhënë votën ndaj kandidatit Benet Beci. Është absurde, por e vërtetë. E keqja e idesë kërkon hisen e saj, pasi është mësuar ta ketë. Sipas saj, nuk mund të votohet një përfaqësues i së majtës, pasi Shkodra është qytet antikomunist dhe i veçantë nga të tjerët!?

Po pse, i veçantë? I veçantë se kjo mendësi e mbajti 32 vite prapa, e veçantë se ka banda, ndoshta më shumë se askund tjetër, e veçantë se punësimi ka rënë në pafundësi, kur kishte dikur 65 mijë punonjës!

Çfarë e lidh Benet Becin me atë që ka ndodhur në diktaturë, kur vetë, një pjesë e fisit të tij ka qenë nën diktatin e kësaj diktature?! E keqja nuk mendon asnjë çast për projektet që mund të zhvillojnë Shkodrën, që riaktivizojnë ekonominë, ta kthejnë qytetin në qendër turistike, çfarë i takon, të frymojë kultura, arti, të gjallërohet jeta qytetare, të marrë frymë vizioni i së ardhmes! Sepse Foltorja e kërkon të keqen, edhe aty ku nuk është, duke ndjellë ndasinë mes banorëve të Shkodrës. “Krimi, krimi, krimi – janë tre motivet e fjalimeve të opozitës”.

E gjithë fushata që po zhvillohet tani rend pas së keqes dhe askujt nuk i intereson e mira, e bukura, ajo që është bërë, apo projektet që do të bëhen. U intereson e keqja, e shëmtuara, debati shterpë, ku analistët shiten më të zotë se shkencëtarët më të shquar, ku ftohen një varg i njëjtë birbosh, të cilët nuk kanë as ide, as vizion, as mendim dhe as ndergjegje qytetare.

Një natë ishte në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut , kryetari aktual i Tiranës, Erion Veliaj. Nuk e ndjek këtë emision, si shumë të tjerë, pasi, si të tjerët, e di se çfarë do të thuhet, si janë rrjeshtuar analistët, çfarë do të thonë dhe si, në fund, do të qeshin me vemendjen njerëzore.

Ndoqa se doja të dija çfarë ka bërë Erion Veliaj. E mendoja se do të shkonte i përgatitur, megjithëse jo deri në atë shkallë. Si duket, ai e dinte më mirë se të tjerët, se ishte nisur në gojën e ujqërve, për të cilët asgjë nuk e shenjtë!

Ishte një moment kur kryetari i Bashkisë kërkoi 40 sekonda për të numëruar dyzet shkollat e ndërtuara gjatë mandateve të tij. Në fillim nuk e besova shifrën. 40 shkolla janë zhvillim i pazakontë në jetën e një qyteti. Aq më shumë kur e dija se në vitet e foltoreve apo të tjerëve nuk ishte ndërtuar asnjë shkollë e vetme.

Në momentin kur po afishoheshin pamjet e shkollave, drejtuesi i emisionit kërkoi të ndërpritej. As këmbëngulaj e Veliajt se “ne nuk jemi lodhur duke i ndërtuar, ju lodheni duke i dëgjuar” nuk kishte efekt. Pse?

Sepse e bukura, e mira, nuk është lajm tek ne. As në këtë emision nuk na qenkësh lajm.

Lajm është nëse ndonjë zëdhënëse e Foltores tregon se disa ditë para vrasjes së biznesmenit politikan, ai kishte patur “një grindje me kryetarin e bashkisë”; lajm është nëse është shembur një shtëpi, por jo se janë ngritur dhjetra të tjera, lajm është nëse Veliaj ka marrëveshje apo mos marrëveshje me Ballukun, por jo shkollat e reja që janë ngritur.

Nuk është lajm, pasi shumë prej tyre që rendin pas së keqes fëmijët e tyre i kanë në shkolla private, i shoqërojnë në mësimet e tyre, pushojnë në resorte të veçanta, në vilat e tyre mund të shkelet vetëm me leje, më keq se në Bllokun e djeshëm, e përsëri, sa herë që nuk u shkon kafeja në kohën e duhur – poshtë qeveria; sa herë që ndodh një vrasje – këtu ka gisht Edi Rama, ai është vrasësi, ndërkohë që janë mburrur se kanë vrarë me duar në xhepa në bulevardin e Tiranës; ndodh një vjedhje – këtu është dora e Ramës – edhe pse janë shpallur non grata pikërisht për korrupsion madhor.

Përse e kërkojmë të keqen, edhe aty ku nuk është?  Ne jemi në të paktat vende që edhe lajmet kryesore i hapim me kronikën e zezë, që e duam të keqen, sepse tërhiqemi pas saj, bëhemi pesë e saj, joshemi nga ajo, pasi, mendimi është se përmes saj mund të vish në pushtet.

Nga ana tjetër, shumica në pushtet, është në dukje më e moderuar, por aq e idhët. E ndjell të keqen përmes asaj që ka në dorën e saj, financimet, duke kërcënuar se, nëse votohet për kandidatët e non gratës, bashkitë nuk do të kenë financime. Do të kenë noc rrokun – përdori shefi i qeverisë një shprehje të vjetër shkodrane, ndoshta harruar edhe prej tyre. Shefi i qeverisë duhet të jetë i vetëdijshëm se ka dallim të madh mes të zgjedhurve dhe të emëruarve dhe se, të zgjedhurit nuk janë nëpunës të emëruar prej tij.

14 maji është bërë lufta e së keqes ndaj njëra tjetrës. Por, jo vetëm ky 14 maj. E gjithë jeta politike rend drejt së keqes, së hidhurës, dëshpërimit. Cili i ri mund të qëndrojë në Shqipëri kur dëgjon këtë “dialog” krimi,  vrasje, bandash, përsëri vrasje, hajdutësh, mafiozësh, oligarkësh, përfituesiosh, me të cilën është mbushur politika shqiptare.

Një gazetar i njohur dikur, Javer Malo, shkruante se, për mediat e çmendura, të kafshojë qeni një njeri, ky nuk është lajm, por të kafshojë njeriu një qen – ky është lajm.

Edhe politika jonë vrapon të gjejë se ku njeriu po kafshon qenin, dhe, edhe nëse nuk e gjejnë, e krijojnë. Një politikë e verbër, që ndjell krimin me tërë qenien e saj. Një klasë politike që do të bënte më të mirën e saj – TË ZHDUKEJ!/ DITA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit