Ish-kryeministri Sali Berisha nuk e njeh humbjen e zgjedhjeve. Në një deklaratë për mediat, lideri historik i së djathtës në ditët më të vështirë me disfatën e fundit akuzoi se Edi Rama nuk i fitoi, por i bleu dhe i vodhi zgjedhjet. Ai u ndal duke cituar pjesë nga raporti i OSBE-së që thekson se ka pasur parregullsi.
“Farsa zgjedhore 2023 si farsa elektorale më e shëmtuar e Shqipërisë dhe Europës, po kundërmon çdo ditë e më shumë. Me këtë rast, unë vlerësoj raportin e OSBE/ODIHR, të Autoriteteve Lokale Rajonale dhe të Parlamentit Europian, të cilët dëshmuan se zgjedhësit shqiptarë votuan nën presion dhe jo të lirë. Kjo është kryefjala e këtyre zgjedhjeve, ku me presione të të gjitha llojeve, Edi Rama ndryshoi në mënyrë antikushtetuese, antiligjore, vullnetin e shqiptarëve, ndryshoi rezultatin e votimit.
Raporti paraprak, ndonëse është paraprak dhe jo përfundimtar, vë gishtin në problemet më madhore të këtyre zgjedhjeve, duke filluar nga makineria shtetërore elektorale si një përbindësh shkatërrimtar i procesit zgjedhor, si një akt që krijon pabarazinë më të madhe në procesin zgjedhor, ndalet në të gjitha format antiligjore të ndërhyrjes në vullnetin e qytetarëve shqiptarë nga qeveria, nënvizon blerjen masive të votës, gjer dhe presionet e tjera të administratës mafioze, më e pranishme se kurrë në qendrat e votimit dhe procesin e votimit.
Përpjekjet për të shkëputur ndonjë gjysmë fraze nga përfaqësuesit e nderuar të institucioneve më prestigjioze të vëzhgimit të zgjedhjeve në Europë, OSBE/ODIHR, Këshillit të Europës dhe Parlamentit Europian, dështuan. Siç e patë vetë, ata refuzuan të nxjerrin nga goja çdo cilësor që iu kërkua, iu qëmtua nga mediat e Edi Ramës për ta tundur si flamur të këtyre zgjedhjeve më të manipuluarat, më të rrënuarat ndonjëherë në historinë e Shqipërisë” tha ai.