-sidi education-spot_img
14.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Bedri Islami: Euforia mbaroi, Shkodra pret premtimet

Kryesoret

Benet Beci është tani kryetari i ri i Bashkisë Shkodër. Është njëra ndër të papriturat më të ndjeshme të zgjedhjeve vendore të 14 majit dhe jehona e saj do të jetë edhe përtej saj. Shkodra, si qytet, rrethina, fusha e Nënshkodrës dhe Malësia, në mënyrën më plebishitare të mundshme, votuan për përfaqësuesin e së majtës.

Me një shumicë dërmuese. Në kohën e duhur. Dhe, zgjedhja më e mirë e mundshme.

Është fushata ku, vetëdijshëm, isha pjesë, jo e stafit, e takimeve, kontakteve, përshkrimeve, paraqitjeve, bisedave, spoteve. Të gjitha këto i përdori shkëlqyeshëm vetë Benet Beci dhe Spiropali, një dyshe e pamenduar, por e gjetur në kohën e duhur.

Nëse drejtuesi i tanishëm i Bashkisë ishte përgjithësisht njeri i qetë, Spiropali ka krijuar imazhin e gruas së fortë në politikë, që mezi pret të kundërvihet ndaj shefit të “Foltores”, Berishës; nëse Benet Beci nuk ishte socialist i flakët, bile njërën këmbë e kishte në krahun tjetër të politikës, Spiropali e ka lidhur jetën e saj me të majtën, ajo është pjesë milituese e partisë së saj; të dy besojnë në aftësitë e shefit të qeverisë; një dyshe e çuditshme, që mundi Sali Berishën në “shtëpinë e tij”, ku i kishin bërë vend si mik, por ku kishte dashur të ishte përjetësisht zot shtëpie.

Ishte fushata më e përshtatshme për Shkodrën. Dukej se perëndimi me virtytet e tij zgjedhore ishte në Shkodër. Asnjë konflikt. Shtrëngim duarsh mes rivalësh, biseda të qeta, asnjë përplasje. Kishte një lloj fisnikërie, deri në ditën e pas humbjes, kur gjërat lëvizën sipas urdhrit të “Foltores”.

Do të kisha dashur përsëri një kalim butësisht të pushtetit vendor, nga njëra dorë në tjetrën. Kërkimi për të gjetur votat e shitura nuk janë asgjë përballë asaj që mund të quhet, votat e humbura. Këto kanë përbërë diferencën. Të tjerat janë paradoksi i çdo paszgjedhjeve.

Shkodra e lodhur, e kaluar nga njëra dorë mediokre në tjetrën, mendoi se kishte dy rrugë para vetes: ose të përkrahte dhe të provonte të majtën, përmes një kandidati të moderuar, ose të qëndronte në shtëpi, si ndëshkim për atë që nuk ishte bërë, ose ishte bërë keq, ose ishte mashtruar.

Euforia mbaroi. Tani Shkodra pret. Atë që i është premtuar se do të ndodhë. Ndryshimin. Kthimin e saj në vlerat që ka pasur. Kurdoherë. Edhe në kohë të vështira. Ringritjen e emrit të qytetit, përmes punës, investimeve dhe sidomos, mendimit ndryshe.

Ajo që qëndron përballë Benet Becit është e vështirë. Deri tani ishte paraloja e politikës, tani fillon e vërteta e saj. Ka përballë pritshmërinë e lartë të banorëve, por do ketë përballë edhe opozitën që është tri herë e zemëruar me të. Sepse gjithnjë u është dukur si njeriu i tyre, pasi ai ka punuar në dy kohë të ndryshme qeverisjeje; sepse i mundi aty, ku askush nuk e besonte, pasi ende kishin në mend “bastionin” ku mund të bësh çfarë të duash dhe askush nuk të ndëshkon. Dhe i mundi thellë, sa asnjë tjetër.

Ata e dinë se përmes tij do të bëhen punë të mira, gjëra të vlefshme dhe kjo do të jetë shuplaka dhe mundja edhe më e madhe. Njerëzit do të kenë përballë dy pamje: atë që është bërë në 32 vite, përmes mediokritetit, dhe atë që mund të bëhet në 4 vite, përmes mendjes dhe punës.

Këto të fundit, punët, janë të mëdha. Shkodra, edhe pse e pranojnë me gjysmë zëri, është qyteti ku pluralizmi ka hapur fjalët, por ka mbyllur punët. Të gjithë janë ndjerë demokratë dhe kanë pritur si qeveria do i shpërblejë për besnikërinë e tyre politike.

Por, guri nuk lëviz nga vendi me mendime. Shkodra mendimet i kishte të shkëlqyera, punët i kishte përtokë. Asnjëri kryebashkiak nuk la një gjurmë që mbetet. Erdhën të varfër, ose të zakonshëm dhe shkuan të pasur. Erdhën të përulur, shkuan fodullë. Përjashtimet vërtetojnë shembullin.

Tani duhet përmbysur gjithçka. Që nga mungesa e besimit. Ndjenjën e mosbesimit opozita do e ndjellë dhe po e ndjellë që tani. Kjo është puna e saj. E ka bërë gjithmonë, do e bëjë edhe më tej. Në sa kohë opozita do e kërkojë të keqen jashtë vetes, aq kohë do të dështojë dhe do të mbetet e deformuar.

Benet Beci ka marrë përsipër ndoshta barrën më të madhe të jetës së tij. Kjo është edhe prova e tij. Shkodra është një qytet i pa pastër. Duhet ta bëjë të pastër. Rrëmuja në tregjet e qytetit të kujton atë të Kandaharit. Duhet ta europianizojë. Plehrat bëhen mal, duhet t’i groposë. Sa më shpejt. Menjëherë.

Çdo njeri në mëngjes lan faqet e tij, ashtu duhet të ndodhë edhe me Shkodrën. Një qytet i pa pastër, është mallkim për qytetarët. Më së shumti për biznesin.

Benet Beci duhet të bëjë atë që ka premtuar. Hyrjen e qytetit. E domosdoshme. Se si do e realizojë këtë, kjo nuk është punë e qytetarëve. Është e tij dhe e qeverisë Rama.

Të futesh në Shkodër, apo të dalësh nga Shkodra, sidomos tani, në fillimin e verës, është e pamenduar. Radhë të gjata makinash që presin. Me orë nganjëherë. Lëvizjet drejt plazhit të Velipojës duken si të mallkuara nga orët e humbura.

Drejt Tiranës, për diçka rreth 100 km duhet të llogaritësh deri në 4 orë. Në të vërtetë Beci nuk e ka mbi vete rrugën drejt Tiranës, por hyrjen dhe daljen nga qyteti e ka punë të tij. Ashtu si projektin rreth dhe për lumin Buna, për liqenin dhe rregullimin e tij, për mbarësinë e qytetit, për parkun e madh në hyrje të qytetit, muzeumet, turizmin.

Punësimin, bashkëpunimin me biznesin, nga i vogli fare, deri tek punëdhënësit e mëdhenj. Me shkollat dhe qendrat shëndetësore. Me të rinjtë që duan të qëndrojnë për të qenë pjesë e ndryshimit të qytetit të tyre.

Të merren mendtë kur mendon se çfarë ka përpara vetes kryetari i një bashkie me emër të madh, por ku punët kanë qenë të vogla.

Deri tani shumë gjëra i kanë bërë vetë qytetarët, sidomos të biznesit. Nganjëherë edhe kundër dëshirës së Bashkisë. Sepse e duan qytetin. Bashkia duhet të përkrahë projektet e tyre. Të afrojë të diturit, të ndershmit dhe mbi të gjitha, ata që e duan Shkodrën zonjë. Shkodra nuk bëhet nga njerëz që nuk e duan. Që e shohin bastion dhe e braktisin, pasi e pushtojnë.

Ndoshta asnjë qytet tjetër nuk ka aq shumë nevojë për dorë të hekurt të menaxhimit të projekteve dhe të ndryshimit. Asnjë qytet tjetër nuk do të jetë më shumë se Shkodra nën hasmërinë e “Foltores”.

Kur mendoj punët që duhen bërë, ata pak që mund të mendoj unë, i them vetes se duhet të jetë i fuqishëm një njeri që merr përsipër, në këtë moment, të ndryshojë qytetin që u plak nga mbyllja brenda vetes.

Pak kush do të donte të ishte në vendin e Benet Becit. Unë për vete, jo. Lumi i punëve që ka para vetes mund të marrë këdo, por Shkodra i besoj atij, e majta i besoj atij, të djathtë në Shkodër i besuan atij. Të gjithë i besuan. Edhe ata që votuan kundër, i kanë besuar.

Një qytet që mendohej bastion, por u dëshmua i lirë, nuk mund të bëhet jashtë vëmendjes së qeverisë. Benet Beci i ka tërhequr vëmendjen deri tani, tani është koha t’i tërheqë fondet, projektet, mendimet, të përbashkëtat, investimet.

Fondet për Shkodrën nuk janë gogol dhe as nuk e përmbytin bilancin financiar të shtetit. Të kthehen ata që janë marrë në vite. Se nuk kanë dashur t’i marrin. Të errësuar nga syri i politikës, për të mbajtur qytetin si bastion, kështjellë mesjetare në perceptim, megjithëse ishte përçues i vlerës perëndimore.

Është koha ku e përbashkëta mes Bashkisë dhe qeverisë të jetë progresi i qytetit. Jo për zgjedhjet e pas dy viteve, sepse kushdo e di se nuk mund të hiqet e keqja që ka zënë myk në tempujt e politikës në më pak se 24 muaj, por për të bërë të mundur dritësimin e qytetit të vjetër. Për të mbizotëruar besimi se bastionet janë pjesë e së shkuarës, jo e së ardhmes.

A do të mund t’i bëjnë Benet Beci dhe qeveria shqiptare të gjitha këto?

Unë besoj, po./ DITA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit