-sidi education-spot_img
12.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Fatbardh Kadilli: Rruga e re e opozitës

Kryesoret

Shqiptarët i refuzuan ofertat opozitare më 14 Maj. Refuzuan Berishën, Metën dhe atë çfarë mbeti nga Basha. I refuzuan se nuk janë opozitë e vërtetë, se janë tmerrësisht të vjetëruar dhe se nuk sjellin asnjë dobi për shqiptarët.

U refuzuan këta opozitarët se kanë fare pak dallim nga pushteti. Pushteti i Ramës është i korruptuar, i dështuar, i konsumuar. Po dhe opozitarët, veçanërisht udhëheqësit opozitarë, Berisha dhe Meta janë rrëzuar nga pushteti si të korruptuar, të konsumuar, të dështuar.

Pushteti i Ramës është arrogant, arbitrar dhe i dominuar nga Njëshi. Të gjithë ata që janë në pushtet jetojnë me sytë nga ai, nga Njëshi. Edhe partitë e opozitës vuajnë nga të njëjtat sëmundje. Janë arrogante, arbitrare dhe të dominuara nga Njëshi. Rotacioni nuk do ndryshonte asgjë në sytë e njerëzve.

Ankimi se Rama dhe pushteti po vjedh nuk mjafton, kur Berisha dhe Meta janë larguar nga pushteti me të njëjtat akuza. Nuk është alternativë tu thuash shqiptarëve me zë të mekur se ne nuk kemi bërë kurrë si këta. Nuk mund të jesh alternativë kur dallimi i vetëm është koha dhe përmasa e korruptimit.

Ankimi se Rama dhe pushteti i tij ble votat dhe vjedh zgjedhjet nuk shërben, kur, si Berisha, ashtu dhe Meta e kanë bërë vetë këtë gjë. Madje ia kanë vjedhur dhe njëri-tjetrit. Prandaj opozita Berisha-Meta nuk i dhimset kujt si viktimë e vjedhjes apo blerjes së votave. Akuza se Rama dhe pushteti i tij ka kapur mediat, dobësohet, kur çdokush sheh se dhe opozita dhe veçanërishtë dyshja Berisha-Meta kanë media plotësisht në kontroll të vet.

Opozita Berisha-Meta nuk është alternativë. Nuk është as rruga për të bërë opozitë. Sepse kjo nuk është opozita e vërtetë. Kjo është opozita zyrtare që ka ardhur nga pushteti, që ka në zotërim mjetet që ka siguruar dhe përfituar kur ka qenë në pushtet dhe me këto mjete kontrollon forcat opozitare. Madje, kontrolli mbi opozitën është qëllimi i tyre parësor.

Jo përmbysja e pushtetit të Ramës. Qëllimi i tyre i vetëm është zëvendësimi i Ramës me dyshen Berisha-Meta. Prandaj, kjo nuk është opozita, por është pushteti i opozitës. Prandaj, të mos habiten militantët dhe votuesit e zjarrtë pse nuk fitojmë. Vota e militantëve dhe fanatikëve është dhënë dhe do të jepet gjithmonë për secilin krah, pavarësisht nga të mirat apo nga zullumet. Por, vota e atyre që duan ndryshim nuk vjen.

Shqiptarët nuk refuzuan vetëm interesat e pushtetarëve që udhëheqin opozitën. Po ashtu, refuzuan dhe llogaritë e atyre që u shkojnë pas. Refuzuan rrogëtarët opozitarë. Refuzuan ata që qëllim kanë të zënë rradhën në forumet e partive Berisha-Meta me shpresë se do u zërë dhëmbi ndonjë kafshatë po qe se vijnë në pushtet.

Refuzuan ata që kanë synim karierën dhe kapjen e punësimit dhe rrogës si deputetë, këshilltarë, nëpunësa, tenderues, tatimorë, doganierë, etj. Shqiptarët nuk janë keq për tu siguriar karierë, punësim dhe para hijeve opozitare. Nuk është kush në merak se sa veta nga BF janë gati ta ndërojnë emrin e tyre me mbiemrin Tatimolli dhe Doganllari, Tenderolli apo Koncensionllari.

Shqiptarët i refuzuan edhe kandidatët e opozitës që hynë në garë për të fituar famë, popullaritet dhe karierë pa bërë politikë. Më keq akoma, duke bërë kompromis me të keqen. Refuzuan ata që duan të përfitojnë edhe kur ne të gjithë humbim. Refuzuan të gjithë ata që bëjnë zgjedhje hileqare.

Shqiptarët refuzuan dhe këdo që nga nevoja për një besim, qoftë dhe të pashpresë, zgjodhën politikisht të ndjekin dyshen e pashpresë Berisha-Meta. Shumë, përfshi dhe njerëz politikë dhe jopolitikë, shpikën apo pranuan çdo argument që i tralliste drejt besimit tek një mision që e dinin që ishte i pamundur.

U refuzuan edhe argumentat inteligjent të analistëve, polemistëve, opinionistëve që me talent dhe pasion argumentuan dhe shpërndanë shpresën e reme në fitore. Kam një këshillë miqësore, edhe teoria më e shkëlqyer, rrëzohet nga një fakt i shëmtuar. Rezultati është ai fakti i “shëmtuar” që duhet të mos injorohet më. Aq më pak me vetëdije.

Fatkeqësisht ende rezultati injorohet. Pushtetarët e opozitës, dyshja Berisha-Meta, ndjekësit karierist, kandidatët ambiciozë, llogaritarët hileqarë, analistët, polemistët, tifozët të gjithë refuzojnë faktin e “shëmtuar”, rezultatin. Lajmi i keq është se këtej e tutje e bëjnë me vetëdije.

Refuzimi do të vazhdojë. Do të thellohet. Pushtetarët dhe nëpunësit e opozitës do refuzojnë shqiptarët dhe shqiptarët përsëri do t’i refuzojnë pushtetarët dhe rrogëtarët e opozitës.

Llogaritë e vjetra nuk janë kurrë mundësi. As rrugët e vjetra nuk të çojnë në destinacione të reja. Udhëheqësit pushtetarë të opozitës refuzojnë të reflektojnë. Populli i refuzon ata, ndërsa ata refuzojnë të lexojnë refuzimin. Humbjet e njëpasnjëshme nuk kanë asnjë ndikim tek Berisha dhe as tek Meta. Ata i refuzojnë humbjet.

Ndjekësit e tyre, po aq të refuzuar, nuk guxojnë të reflektojnë. Janë të shtrënguar në mes të refuzimit nga populli dhe të refuzimit nga pushtetarët e opozitës. Populli refuzon opozitën, opozita refuzon popullin. Kjo më kujton një shprehje humori për situatat e refuzimit të ndërsjelltë. “ Unë i flet, ai s’më flas. Më plasi mua për ai”. Kaq të kithët janë sot opozita zyrtare dhe populli.

Për ata që duan të bëjnë opozitë dhe politikë dhe që nuk duan të jenë më të refuzuar ka vetëm një mundësi. Reflektimi është mundësi. Ata që nuk duan të mbeten të refuzuar, mos presin të reflektojnë dhe të largohen pushtetarët e opozitës. Nuk do hapë rrugë Berisha-Meta. Nuk do ikin për t’ia lënë dikujt. Por, nëse nuk ikin ata, mund të ikni ju nga ata.

Vendi ka nevojë për opozitë të vërtetë! Opozitë që dallon kryekëput nga pushteti. Vendi ka shumë opozitarë. Opozitarë janë dhe ata që dje votuan pushtetin. Edhe ata janë në opozitë me pushtetin se duan dhe kërkojnë të shërbehen. Ka shumë lëndë opozitare, por ka pak mjete jashtë pushtetit të opozitës.

Ndaj, kush do të bëjë opozitë duhet të kërkoj rrugë të reja. Kushdo qe ndjen veten opozitar, kushdo që është i angazhuar në politikë duhet të reflektojë dhe të kërkojë me guxim rrugët e reja sot. Ata që do vazhdojnë të ndjekin pushtetarët e opozitës duhet ta dinë se askush nuk pastrohet në ujrat e ndenjura të refuzimit.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit