Brenda Partisë Demokratike aktualisht janë të paktën tre grupime të deklaruara. Pas Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, në skenë me 17 deputetë në krah doli edhe Gazment Bardhi. Aludimet në media nuk kanë munguar se sekretari i përgjithshëm doli kundër Lulzim Bashës dhe mund t’i hapë një derë grupit të ish-kryeministrit.
Gazetarët e pyetën sot Berishën, se “Bardhi ka deklaruar se me Sali Berishën, kandidat për kryeministër në 2025 nuk do të afrohej me ju, a do të jeni kandidat për kryeministër në 2025?”. Lideri historik i së djathtës tha se në këtë pikë nuk është larg me Bardhin.
“Nuk jemi larg me Gazin në këtë rast. Se çfarë kam deklaruar unë? Të lutëm. Unë kam deklaruar se edhe pasi të fitoj zgjedhjet PD, do të ketë një votim, primare për kryeministër. Nëse shqiptarët votojnë masivisht Sali Berishën unë besoj se çdo demokrat do i nënshtrohet votës. Do të ketë një votë për kryeministër. Këtu jemi afër. Asnjë nuk mund të kundërshtojë votën nëse është masive për mua” tha ai.