-sidi education-spot_img
34.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Bedri Islami: Politika synon të trajtojë diasporën si shtojcë politike

Kryesoret

Është e papërballueshme dëshira dhe këmbëngulja e opozitës për të përbaltur, injoruar , apo edhe më tej, për të shenjuar çdo takim të shefit të qeverisë me shqiptarët që jetojnë tashmë në vendet perëndimore. Arsyet mund të jenë me dhjetra, por asnjëra prej tyre nuk përmban thelbin e asaj që po ndodh, edhe vetë brenda tyre.

Shumica qeverisëse dhe opozita e gjithë farë lloji ndodhen para dilemës thelbësore në zgjedhjet e ardhshme politike të vitit 2025 : votimi i mërgimtarëve shqiptarë, të cilët prej viteve, apo edhe në vitet e fundit, janë larguar nga Shqipëria. Çfarë do të ndodhë me këtë shumësi njerëzish, të cilët mund të përbëjnë edhe më shumë se një të katërtën e banorëve të Shqipërisë dhe që aktualisht janë të përhapur në dhjetra vende të ndryshme.

Modalitetet se si do të votohet dhe kur do të votohet shprehin enigmën e panjohur që përbën thelbin e çështjes : për cilët do të votojnë mërgimtarët, pra, kujt do i besojë vazhdimin e qeverisjes diaspora shqiptare. Shpresat për përmbysje apo forcimin e pushtetit janë ende të vakëta, shpesh herë jo reale, e mbi të gjitha, të pa kontrolluara.

Duke mos e ditur këtë të enigmë që , edhe nëse votohet, enigma do të zgjidhet në pranverën e vitit të ardhshëm, të dy forcat politike, fshehur pas gjysëm të vërtetave dhe proçedurave administrative, si kurrë më parë tani, duan të përfitojnë kohën e duhur për të fajësuar palën tjetër. Asnjerën palë prej tyre nuk e vret ndergjegja dhe nuk është realisht e shqetësuar nëse do të votojnë kësaj here diaspora shqiptare. Enigma është për kë do të votojnë.

Kjo është një lojë e vjetër e politikës, sa herë që ka të bëjë me enigmat që vijnë furishëm para zgjedhjeve të reja politike. Opozita ngul këmbë se diaspora do të jetë votuese e saj, pasi, sipas mendimit të shprehur, dhe jo bindjes së tyre, kjo diasporë nuk është e varur nga qeveria, votat e saj nuk mund të blihen e as të shiten, ata jetojnë në perëndim dhe i dinë më mirë vlerat e votës së lirë. Në parim është kjo, mund të jetë edhe në praktikë, por, domosdo, duke shtuar pyetjen, sa të lirë janë ata për të përballur në veten e tyre gjendjen reale të politikës në Shqipëri, mangësitë dhe dobësitë, të mirat e një qeverisje dhe keq qeverisjen e të tjerëve; cilat figura politike janë më të afërta dhe, sidomos, cila forcë politike ndjell më shumë besim dhe jep shtysë të re në qenien e tyre si mërgimtarë. Dy takimet e deri tanishme të shefit të qeverisë , në Athinë dhe në Milano, janë dëshmi të një drejtimi nga do të mund të shkojnë votat e shqiptarëve, por nuk janë gjithçka.

Ky nuk është problem i shtruar vetëm nga shumica apo opozita në Shqipëri. Kjo ka trazuar edhe institucione të ndryshme jashtë shtetit shqiptar, të cilat bëjnë monitorimin e tyre politik, strategjik, të krimit dhe financiar. Ata janë tejet të interesuara se si mund të ndikojë kjo votë në mirë qeverisjen, jo thjeshtë se kush do të mund të qeverisë, çfarë risish do të mund të sjellë kjo votë, dhe jo rënien në moçalin e politikës së deri tanishme. Disa shembuj të përfaqësuesve të diasporës që u përfshinë në listat e deputetëve , apo që janë deputetë nuk janë dëshmi e mjaftueshme për rigjenerimin e politikës.

Sipas mendimit të një pjese të mirë organizuartë institucioneve jashtë Shqipërisë, në disa vende ku janë shumica e shqiptarëve, si Greqia, Italia, Gjermania dhe Franca vota ndaj së majtës në pushtet do të jenë sunduese, edhe përtej asaj që ndodh në vetë shtetin shqiptar. Në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe më pak në vendet nordike opozita do të ketë më shumë përkrahës, por jo si forcë dominuese.

Në shtetet e afërme , fqinje ose në distanca jo të largëta, emigracioni shqiptar është relativisht i ri, i ardhur për shkaqe thjeshtë ekonomike, pak ose aspak i ndikuar nga politika. Kjo shumësi njerëzore ka rendur pas një jete ndryshe, më të mirë, dhe, mbi të gjitha, më të sigurt. Ata kanë lidhje me njerëzit e tyre në atdhe, vijnë në Shqipëri, dëgjojnë më shumë për shtetin shqiptar, sidomos në vitet e fundit, kjo edhe nga bumi i turizmit dhe mjeshtëria e qeverisë për të fshehur të zezën, bardhësuar të murmen dhe ndritur të bardhën.

Në Shtetet e Bashkuara, prej shumë viteve, të shtrirë në kohë, ekziston një mërgatë e fuqishme ekonomikisht, e cila është zhvendosur aty jo se nuk kanë pasur mundësi financiare të jetojnë në Shqipëri, por , më shumë për shkak të gjendjes politike, ku ata ishin kundërshtarë të regjimit të arratisur prej tij. Ky brez shpesh herë vendos në gjendjen e diasporës, pasi është edhe më i organizuar, me më shumë ndikim dhe, mbi të gjitha, me lidhje të hershme me politikën amerikane në nivelet e larta të saj.
Diaspora, e cila ftohet të jetë pjesë e zgjedhjeve të ardhshme, por që ftesë zyrtare nuk ka marrë, pra nuk ka asnjë ligj të përshtatshëm për votimin e tyre, nuk mund të trajtohet më si objekt i politikës në Shqipëri. Ajo duhet të jetë subjekt i politikës, pjesë e saj, ndryshe gjithçka është fasadë dhe mirësjellje e kotë.

Ky është gabimi i parë dhe më i ndjeshëm i politikës në Shqipëri. Diaspora, edne sot, shitet si rezervat votash, por jo si subjekt i përfaqësimit politik të saj. Nuk mund të thuhet më, “ ejani e na votoni”, por zë nuk do të keni.

Ka qenë një kohë kur mërgata shqiptare, edhe në parlamentin e parë pas Kongresit të Lushnjes kishte përfaqësuesit e saj, qoftë nga kolonia shqiptare në Bukuresht, nga shqiptarët e Amerikës, por edhe nga Shqipëria Përtej Drinit, që ishin figura eminente të atdhedasurisë në Kosovë. Nga kjo mërgatë e erdhën figura të shquara, mes të cilëve edhe dy kryeministra, si Pandeli Evangjeli dhe Fan Noli – të kundërt në gjithçka, por të njëjtë në dashurinë dhe përkushtimin ndaj vendit të tyre.

Për të miratuar një ligj që i mundëson diasporës votimin e saj duhen urgjentisht të ulen krerët e politikës, pa bërë hesapet e pas zgjedhjeve, por duke sanksionuar të drejtën e ligjshme të votimit dhe të përfaqësimit.

Nëse në shtetin grek jetojnë më shumë se gjysëm milioni shqiptar, shumë nga të cilët kanë të drejtë vote, atëherë kush i përfaqëson ato në parlament, apo e drejta e fjalës së tyre do të fshihet në kornizat e partive politike, të cilat do të kujtohen pas katër viteve, kur të vijnë zgjedhjet tjera? Si do të jetë përfaqësimi i tyre? Nëse në Itali janë rreth 700 mijë shqiptarë, si do të jetë përfaqësimi i tyre. Vetëm në këto dy shtete kemi një popullsi që është e njëjtë me atë të Tiranës, dhe, nëse nuk do të ketë përfaqësimin e saj në parlament, vota do të jetë gjysëm e humbur dhe përfaqësimi i tyre do të jetë i mangët. Po ata shqiptarë që kanë dy nënshtetësi do të kenë të drejtë vote? Po të tjerë, të cilët kanë nënshtetësinë e një shteti tjetër, por ende figurojnë shtetas shqiptarë do të kenë të drejtë? Si do të jetë votimi i tyre, për cilën listë, nëse mbetet në fuqi ky sistem zgjedhor që kemi me 12 qarqe?

Politika shqiptare synon të trajtojë diasporën si shtojcë politike të saj, që, ose e mban në pushtet, ose ia jep pushtetin.
Opozita ngul këmbë që të bëhet sa më shpejt ligji dhe injoron sinjalet që vijnë nga takimet e shefit të qeverisë në vendet perëndimore. Me këmbëngulje përpiqen të ia mbushin mendjen vetes se , në sallat e mbushura tej kapaciteteve, ata që dëgjojnë shefin e qeverisë nuk janë asgjë tjetër, veçse të transportuar nga Shqipëria, militantë të së majtës. Ndërkohë shpreson që ky ligj të mos miratohet as kësaj here, pasi enigma e zgjedhjeve së votës nga diaspora nuk do të jetë gjatë e largët.

Nganjëherë, e gjithë kjo këmbëngulje më kujton atë fabulën e dhelprës tek nallbani…/ DITA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img
uEFA EURO 2024 GERMANYspot_img

Lajmet e fundit