Sezoni veror në Durrës po rezulton më i dobët se sa ishte pritur nga operatorët turistikë, si pasojë e një kombinimi faktorësh.
“Pritshmëria e hoteleve të Durrësit ka qenë më e madhe sesa është aktualisht, sepse pas mbylljes së sezonit vitin e kaluar, ne prisnim një numër të konsiderueshëm vizitorësh të cilët nuk po i shohim. Nuk është një rënie drastike, por është e prekshme diku te 5-10% më pak dhe kjo ndikon te ne,” shprehet Presidenti i Fafa Hotels dhe Resorts, Fatos Çerenishti.
Sipas operatorëve turistikë, një nga faktorët kryesorë për këtë rënie ka qenë ulja e numrit të turistëve nga Kosova, të cilët këtë vit kanë zgjedhur të vizitojnë destinacione të tjera europiane.
Blerim Norja, administrator i hoteleve Royal G, tregon se numri i vizitorëve nga Kosova në hotelet që ai administron ka rënë deri në 80%.
Ai shprehet se liberalizimi i vizave dhe dëshira e qytetarëve të Kosovës për të vizituar destinacione të reja në Europë është një nga faktorët kryesorë të kësaj rënie.(lexo KËTU për më shumë)