Ushtarët e KFOR-it kanë intensifikuar patrullimet përgjatë vijës kufitare Kosovë–Serbi si pjesë e përpjekjeve për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Sot, trupat polake të angazhuara në Komandën Rajonale në Lindje, të cilët janë pjesë e misionit të udhëhequr nga NATO, kryen patrullime në këtë zonë të ndjeshme.
Sipas një njoftimi nga KFOR-i, këto aktivitetet ndihmojnë në forcimin e sigurisë për të gjitha komunitetet lokale dhe në konsolidimin e stabilitetit rajonal. Përveç patrullimeve nga trupat polake, ushtarët e Kompanisë Bullgare të Manovrimit nga Batalioni i 2-të i Forcave Rezervë Operacionale Shumëkombëshe, kanë realizuar gjithashtu patrullime në komunën e Leposaviqit.
Në njoftimin e KFOR-it, theksohet se këto patrullime janë pjesë e përpjekjeve të përditshme për të mbështetur sigurinë e qëndrueshme në të gjithë Kosovën dhe për të siguruar që situata në kufi të mbetet e qetë dhe stabile.