Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi me anë të një postimi në rrjetet sociale shkruan zbulimi i radhës se Shqipëria ka nisur kontenierë me lëndë të rrezikshme edhe në Kinë, përveç Tajlandës.
Blushi shprehet se kjo është prova më e re ku Edi Rama është përfshirë drejtpërdrejtë në trafik ndërkombëtar të mbetjeve toksike.
“100 kontenierë drejt Tajlandës dhe 115 kontenierë drejt Kinës nuk kanë asnjë shans të ngarkohen në Portin e Durrësit, pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të shtetit, të institucioneve më të larta të sigurisë, të strukturave përgjegjëse kufitare, të doganave, portit dhe Policisë.
Ky shtet që nuk toleron një fugon me shalqi që niset nga Lushnja pa faturë e dokumentacion, i paskan kaluar si miu nën hundë mijëra ton mbetje toksike që u ngarkuan në Elbasan, u transportuan drejt Durrësit dhe u imparkuan në anije, në portin që presupozohet është më i sigurti i një vendi anëtar të NATO-s”, shkruan Blushi.
Më pas ai thotë askush përveç Ramës nuk ka fuqinë që të komandojë shtetin për të mbyllur dhe hapur dyert e Portit të Durrësit.
“Në Narkoshtetin e Edi Ramës “afërmendsh” kjo nuk mund të ndodhë, sa kohë korrupsioni skizofrenik cilësohet “krim intelektual” dhe kur çirakut në krye të SPAK-ut, Altin Dumani i merret goja, i erren sytë dhe as guxon t’i përmendë emrin Kryeministrit kur del në aferat e tmerrshme ku është përfshirë. Askush nuk pret drejtësi nga Ramaforma dhe as transparencë e përgjegjësi nga Narkoshteti”, shkruan Blushi.