Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi sot se do të kthejë taksën e sheshtë në masën 10%, njëlloj siç ishte në kohën e qeverisë Berisha deri në vitin 2013.
“Do të aplikojmë taksën e sheshtë 10% dhe do të rimbursojmë TVSH-në për kompanitë eksportuese”, tha Meta.
Përsëriti se do të kërkojë hetim parlamentar për skandalin e mbetjeve. “Nuk ka më dyshime, ku është një skandal që ka plasur që kur kam qenë kryetar parlamenti. Për fat të keq të gjitha strukturat shtetërore i fshinë gjurmët në një kohë rekord.
Ky tranzit kishte ndodhur nga Italia në Shqipëri dhe në drejtim të Maqedonisë. Tani skandali ka plasur në përmasa globale, sepse bëhet fjalë për përfshirjen e disa kontinenteve.
Organizatat për mjedisin e kanë denoncuar, mediat prestigjioze e kanë denoncuar. Kemi të bëjmë me një qeveri mafioze për të cilin interesi i vendit nuk ekziston.
E kemi bërë të qartë, ne i kemi kërkuar deputetëve tanë të kërkojnë dhe nxisin një hetim parlamentar, aq më mirë që opozita të bashkohet në një çështje që është interes kombëtar.
Përgjegjësi kryesor për këtë aferë mafioze është Edi Rama, i cili ka kapur për fyti edhe drejtësinë që nuk reagon”, u shpreh nder te tjera Ilir Meta.