Një stuhi e fuqishme shiu dhe breshëri ka përfshirë të gjithë vendin, duke shkaktuar dëme të mëdha në Korçë dhe Elbasan.
Reshjet e pasdites janë shoqëruar me era të forta që kanë rrëzuar pemë të larta në fshatrat Sheqeras dhe Orman, në bashkinë e Maliqit. Për të pastruar rrugët e bllokuara nga pemët, është dashur ndërhyrja e shërbimeve zjarrfikëse.
Situata ka ndikuar edhe në furnizimin me energji elektrike në disa fshatra të Maliqit, por pas stuhisë, gjithçka është rikthyer në normalitet.
Po ashtu, dëme të ngjashme janë raportuar edhe në Tiranë, Durrës, Bulqizë dhe Elbasan, ku era e fortë ka shkaktuar rrëzimin e pemëve dhe përmbytje të rrugëve.