-sidi education-spot_img
18.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Shqipëria eksporton mbetje të rrezikshme dhe jo të rrezikshme

Kryesoret

Shqipëria eksporton mbetje të rrezikshme dhe jo të rrezikshme. Ministria e Mjedisit deklaroi për Faktoje se gjatë vitit 2023 dhe deri më tani janë dhënë 84 autorizime për eksport të mbetjeve të tilla.

Të dhëna të siguruara nga Faktoje dëshmojnë se Shqipëria eksporton mbetje të rrezikshme dhe jo të rrezikshme. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit konfirmoi zyrtarisht se gjatë vitit 2023, janë lëshuar në total 56 autorizime për eksportin e mbetjeve të rrezikshme dhe jo të rrezikshme jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe kalim tranzit nëpër territorin e Republikës së Shqipërisë.

Për vitin 2024 deri në muajin gusht, nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit janë lëshuar në total 28 autorizime për eksportin e mbetjeve të tilla apo kalim transit.

Në përgjigjen e saj Ministria e Mjedisit nuk përcakton tipologjinë e këtyre mbetjeve dhe as industritë prej të cilave ato gjenerohen, ndërsa thekson se për kodet e mbetjeve, të cilat nuk mund të trajtohen, riciklohen, ripërdoren apo asgjësohen në vendin tonë, dispozita ligjore për t’i eksportuar në vendet t’i cilat i mundësojnë këto procese, është e rregulluar.

“Në Katalogun e mbetjeve, nga 953 specifikime kodi mbetje ne total, 418 prej tyre klasifikohen si mbetje të rrezikshme. Mbetjet nuk duhet të ruhen në vendndodhje për një periudhë më të gjatë se 1 vit në qoftë se ato janë të përcaktuar për asgjësim ose jo më shumë se 3 vjet nëse ato janë të paracaktuar për riciklim/trajtim”, bën të ditur ministria.

E pyetur për destinacionin e mbetjeve të rrezikshme dhe jo të rrezikshme që eksportohen, ministria u përgjigj për vendet ku përfundojnë “mbetjet”, në përgjithësi, pra jo ato për të cilat kërkohen procedura të veçanta: “Vendet janë si më poshtë: Greqia, Maqedonia e Veriut, Italia, Sllovenia, Polonia, Gjermania, Turqia, Bullgaria, Hollanda, Belgjika  etj”, njofton Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Debati në Parlament për mbetjet e dyshuara si të rrezikshme

Çështja e ngarkesës prej 100 kontenierësh të nisura nga porti i Durrësit, me mbetje të dyshuara si të rrezikshme, në fillim të muajit korrik me destinacion Tajlandën hapi sot punimet e parlamentit në një interpelancë të posaçme me kryeministrin Edi Rama, të kërkuar nga kreu i grupit demokrat Gazmend Bardhi.

Gjatë interpelancës, Bardhi u shpreh se ka dyshime serioze se Shqipëria është përfshirë në tregti të paligjshme të mbetjeve të rrezikshme.

“Ka pasur disa reagime kontradiktore nga disa institucione përgjegjëse pak ditë kur doli lajmi. Në këtë mënyrë ka dyshime serioze se Shqipëria ka shkelur një sërë marrëveshjesh, Marrëveshjen e Bazelit, Traktatin e Vrashavës. Shqipëria është përfshirë në tregti të paligjshme të mbetjeve të rrezikshme”, theksoi Bardhi.

Për rastin e ngarkesës, kryeministri Rama tha se nuk janë mbetje të rrezikshme.

“Eksporti i mallrave në fjalë nuk është eksport mbetjesh të rrezikshme. Gjithashtu, praktika doganore e këtyre eksporteve ka të bashkëngjitur certifikatën e analizës së mallit, nga laboratori i një vendi të BE-së, i cili konfirmon deklarimin e subjektit.

Në të dyja rastet atij të transportit, nga Elbasani drejt Tajlandës dhe atij nga Kosova drejt Kinës, mallrat e deklaruara si okside/hidrokside hekuri apo koncentrat zinku, janë transportuar nga Porti i Durrësit drejt porteve evropiane me të gjithë dokumentacionin përkatës përmes linjave kontejnerike ndërkombëtare me një reputacion të padiskutueshëm në botën e transportit detar kanë qëndruar e janë magazinuar përkohësisht në vende të Bashkimit Europian, ku askush nuk i ka penguar. Më pas janë lejuar të vijojnë normalisht itinerarin e tyre”, deklaroi kryeministri duke përsëritur qëndrimin e shprehur më herët dhe nga Ministria e Mjedisit se nuk është lëshuar asnjë autorizim për rastin, duke qenë se një autorizim i tillë është i nevojshëm vetëm në rastet e eksportit të mbetjeve të rrezikshme apo jo të rrezikshme.

Lidhur me prodhimin dhe trajtimin e mbetjeve të rrezikshme në Shqipëri, Rama dha një përgjigje të përgjithshme duke cituar ligjin, pa hyrë në raste konkrete: “A prodhohen mbetje nga proceset industriale dhe teknologjike në Shqipëri?

Sigurisht që po dhe është më se normale. Ndër to, ka mbetje të rrezikshme dhe jo të rrezikshme. A ka një kontroll të këtyre mbetjeve të rrezikshme? Patjetër. Ku depozitohen? Si asgjësohen? A ka gjurmueshmëri të tyre nga prodhimi deri në asgjësim?

Mbetjet e rrezikshme sipas ligjit 10463/2011 për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve trajtohen nëpërmjet procesit të rikuperimit, të riciklimit, të asgjësimit sipas metodave ligjore të përcaktuara. Konkretisht trajtimi i mbetjeve të rrezikshme sipas lejes mjedisore kryhet në vendndodhje nëpërmjet operacioneve të rikuperimit ose ato grumbullohen, transportohen dhe asgjësohen në mënyrë përfundimtare nga subjekte të licencuara”

Dyshimet e ngritura nga BAN

 Në një komunikim me Faktoje, organizata jo qeveritare amerikane, “Bazel Action Network” (BAN) thekson se ata u vunë në dijeni nga burime anonime për një dërgesë të dyshuar me mbetje te rrezikshme.

“BAN dyshon se dërgesat janë pluhur nga Furrat e Arkës Elektrike (EAF) të mbledhur nga filtrat e kontrollit të ndotjes. Ky pluhur i furrës, i cili kërkon trajtim, është një mbetje e rrezikshme që zakonisht vjen nga riciklimi i çelikut të përdorur dhe përmban okside metalike toksike si kadmiumi dhe kromi, të cilat janë të dëmshme për shëndetin dhe mjedisin.

Nëse konfirmohet se është mbetje e rrezikshme, sipas dispozitave të Konventës së Baselit, Traktatit të Kombeve të Bashkuara që rregullon tregtinë e mbetjeve të rrezikshme dhe të tjera, eksporti pa njoftim dhe pëlqim të mëparshëm ndërmjet vendeve të përfshira është i paligjshëm dhe një akt kriminal. Ato duhet të konfiskohen dhe të kthehen në Shqipëri”, thekson organizata.

Sipas organizats amerikane, 100 kontejnerët në fjalë u transportuan në korrik nga Shqipëria në Trieste, Itali, ku ata u ngarkuan në dy anije Maersk, MAERSK CAMPTON dhe MAERSK CANDOR.

“Ndërsa dy anijet po lundronin drejt Azisë Juglindore përmes bregut perëndimor të Afrikës, BAN dhe partnerët e saj ngritën alarmin dhe u përpoqën të ndalonin anijet”, shton më tej BAN.

Ministria e Mjedisit: Kompania nuk ofroi të dhëna mbi destinacionin e ngarkesës

E pyetur për këtë ngarkesë të dyshuar të rrezikshme, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit tha për Faktoje se nuk ka dhënë asnjë autorizim dhe si rrjedhojë kompania nuk ka paraqitur të dhëna mbi destinacionin e ngarkesës.

“Ju informojmë se institucionet ligj zbatuese shqiptare janë angazhuar që në sinjalizimin e parë të këtyre dyshimeve dhe kanë kryer veprime hetimore të përbashkëta me Zyrën kundër mashtrimit të Bashkimit Evropian (OLAF), si dhe MTM ka referuar rastin pranë autoriteteve doganore me qëllim investigimin dhe vlerësimin e situates”, njofton MTM.

Drejtoresha e organizatës “Ecological Alert and Recovery – Thailand (EARTH)”, Penchom Saetang tha për Faktoje se 816 tonë mbetjet në bordin e dy anijeve në 100 kontejnerë besohet se mbajnë pluhur toksik të furrave së çelikut”. Ashtu si dhe BAN, edhe kjo organizatë thekson se: “nëse konfirmohet se janë mbetje të rrezikshme, nga dispozitat e Konventës së Bazelit, Traktati i Kombeve të Bashkuara që rregullon tregtinë e mbetjeve të rrezikshme dhe të tjera, kontejnerët mund të sekuestrohen dhe të kthehen në Shqipëri”, thekson znj. Saetang.

Më 24 gusht, Ministria e Infrastukturës dhe Energjisë si edhe Ministria e Turizmit e Mjedisit dolën me një deklaratë të përbashkët në lidhje me skandalin me 816 tonë të dyshuara mbetje toksike, të cilat kanë dalë nga porti i Durrësit me destinacion Tajlandën.

“Në këto rrethana, nuk mundet që Shqipëria të pranojë apriori rikthimin e ngarkesave të tilla, aq më tepër vetëm mbi bazën e dyshimeve e të spekullimeve, pa realizimin e analizave shteruese dhe provave ligjore të besueshme dhe të verifikueshme”, thuhej në deklaratën e përbashkët./ Faktoje

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit