Platforma SMILE.al ka finalizuar suksesshëm një tjetër projekt të rëndësishëm në fushën e arsimit, duke ndërtuar dy ambiente laboratorike për shkollat 9-vjeçare “Kozma Basho” në qytetin e Pogradecit dhe “Nënë Tereza” në Lezhë.
Projekti “Sipërmarrësit e së ardhmes në laboratoret e sipërmarrjes”, i iniciuar nga Junior Achievement of Albania, ka si qëllim krijimin e një mjedisi inovator për zhvillimin praktik të njohurive dhe aftësive sipërmarrëse, menaxhimit dhe financave.
Ky projekt është mundësuar përmes dhurimeve në platformën SMILE.al dhe mbështetjes financiare të Fondacionit Credins dhe Teleperformance. Me ndihmën e këtyre investimeve, nxënësit tani do të kenë kushtet dhe mjetet e nevojshme kompjuterike për të zhvilluar module që lidhen me financat personale, sipërmarrjen dhe teknologjinë.
Aktivitetet e para që do të mirëpresë ky laborator do të jenë kampet e financës për nxënës të moshave 13-15 vjeç, duke u ofruar atyre mundësinë për të praktikuar njohuritë e tyre mbi financat dhe sipërmarrjen.
Për të inauguruar këtë projekt, i cili ka një vlerë të madhe për zhvillimin e nxënësve, u zhvillua një aktivitet special ku morën pjesë drejtoresha e Fondacionit Credins, znj. Elvana Hana, drejtoresha ekzekutive e JAA, znj. Blerina Guga, përfaqësues të Drejtorive Arsimore Pogradec dhe Lezhë, drejtues të Teleperformance, si dhe shumë nxënës e mësues. Të ftuarit theksuan se investimi në edukimin financiar të brezave të rinj është një domosdoshmëri, jo vetëm për të thelluar njohuritë mbi nocionet financiare, por gjithashtu për të rritur ndërgjegjësimin mbi menaxhimin e duhur të financave në të ardhmen, një fenomen i dukshëm në kulturën e vendeve të zhvilluara të Bashkimit Europian.
Pas bashkëpunimit me Junior Achievement of Albania, priten edhe projekte inovatore të tjera që do të finalizohen me sukses në platformën online SMILE.al, duke ndikuar kështu ndjeshëm në përmirësimin dhe zhvillimin e jetës së komunitetit lokal.
Platforma SMILE.al, gjatë viteve, ka bashkuar shqiptarët kudo në botë dhe ka mundësuar realizimin e shumë projekteve sociale, si “Serë për fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara intelektuale”, “Le t’u japim atyre shpresë”, “Kovat blu”, “Mbështetje për gratë dhe fëmijët e dhunuar”, “Mbështesim maternitetet të kujdesen për të porsalindurit dhe të shpëtojnë jetë”, etj., që dëshmojnë suksesin e kësaj platforme.
Për të realizuar projekte të ndryshme me karakter social, SMILE.al është bërë një zgjedhje e preferuar për çdo organizatë në Shqipëri që ndan një vizion të ngjashëm, duke e parë shërbimin për integrimin dhe zhvillimin e komunitetit si një obligim moral që forcon qytetërimin e kombit.