Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se sulmi terrorist në Banjskë nga paramilitarët serbë ishte identik me pushtimin e Krimesë nga Rusia në 2014. Komentet e tij erdhën gjatë një konference mbi ndikimin e agresionit rus në Evropë, ku ai theksoi se veprimet e Beogradit synonin hapur aneksimin e veriut të Kosovës.
“Sulmi terrorist që ndodhi ndaj Kosovës në Banjskë vitin e kaluar, ishte një replikë identike e sjelljes agresore të Rusisë kundër Ukrainës. Trupat paramilitare serbe të trajnuar nga ushtria serbe, të pajisur me arsenal luftërat të Ministrisë serbe të Mbrojtjes dhe me zbatimin e aspiratës së Beogradit për ta ndarë Kosovën, e synuan në mënyrë të hapur dhe mënyrë luftarake aneksimin e pjesës veriore të Kosovës, me ç’rast në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit në luftë me këtë grup paramilitar e dha jetën rreshteri i PK-së, Afrim Bunjaku”, ka thënë Konjufca.
Konjufca përmendi se ky agresion kishte pasoja të mëdha për paqen dhe sigurinë në Evropë.
“Kur agresion rus në Ukrainë i ka mbushur dy vite e gjysmë, si një përpjekjeje e Rusisë për ekspansionin klasik territorial mbi Ukrainën, pasojat e një agresioni të tillë kanë ndikuar në Kontinentin Evropian. Për shkak të mos dhënies së një përgjigje të vendosur në vitin 2014 ndaj pushtimit të Krimesë, por trajtimi i Rusisë si partner despotik, Evropa sot po ballafaqohet me një luftë që nuk ka të bëjë vetëm me fatin e Ukrainës si shtet dhe ukrainaseve si komb, por kjo luftë përbënë edhe një betejë vendimtare për rendin demokratik në Evropë që u ndërtua pas rënies së perdes së hekurt në vitin 1989”, tha Konjufca.
Ai paralajmëroi se Serbia vazhdon të mbështesë strategjitë ruse për destabilizimin e rajonit, duke e mbajtur Ballkanin në tension. Konjufca e cilësoi konceptin e “Botës Serbe” si një ripërsëritje të ideve të Putinit, duke nënkuptuar se Serbia shërben si një zgjatim i interesave ruse në Ballkan.