Në akademinë e policisë kanë nisur arsimin rreth 150 të rinj, në sistemin Bachelor të rikthyer pas gati dy dekadash. Gjithashtu po diplomohen 400 punonjës që nisin sot punën në terren.
Ministri Hoxha u shpreh se ish oficer policie është trajnuar dhe ka dhënë mësim në këtë akademi sigurie.
“Kanë kaluar gati dy dekada nga dita kur kjo Akademi u mbyll dhe u shndërrua në Qendër e Formimit Policor, si pjesë përbërëse e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Ulja e statusit të shkollës, nga arsim i lartë, në qendër trajnimi, si dhe niveli apo cilësia e programeve, ndikuan negativisht në përgatitjen e punonjësve të policisë, sidomos të specialistëve të hetimit të krimit, të cilët duhet të ushtronin atributet e oficerit të Policisë Gjyqësore. Por siç thotë edhe një proverbë e vjetër: “Një det i qetë nuk krijon marinarë të zotë”.”, u shpreh Hoxha.
Në fund ai falenderoi të gjithë partnerët e ndërkombëtar të SHBA, Britanisë së Madhe, Italisë dhe Turqisë, misionit të OSBE etj., për ndihmën dhe kontributin e veçantë që kanë dhënë e po japin në modernizimin e Akademisë së Sigurisë.