Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në fjalën e tij në tubim u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të shtunën në orën 12:00 të mblidhen në protestë në Shkodër.
Berisha shprehet se ky është marshimi i çlirimit dhe i shpëtimit në Shkodër. Ai thekson se çdo shqiptar sot duhet të dëgjoj zërin e thellë të ndërgjegjes së tij, para së gjithash.
“Sepse nëse dje u vranë 3 veta në Shkodër, ndër të cilët një nënë e pafajshme dhe dy të ri u këputën nga dora vrastare në lulen e rinisë, po ashtu pak kohë më parë u vra në Velipojë 20-vjeçari Myzeiri, ditën e parë të punës si kamarier. Po ashtu u vra në Tiranë edhe Mimoza, djyshja heroinë që punonte banakiere 16 orë në ditë për të mbajtur fëmijët e vajzës së vet. Po ashtu u vranë në Tiranë, Erioni dhe Gledio, gabimisht duke pirë kafe, nga bandat vrastare që bashkëpunojnë me qeverinë. Po ashtu u vra në Elbasan, 29 vjeçari Enea, se i shpërtheu tritoli në derën e shtëpisë së komshies. Për gjithë këto viktima të pafajshme, çdo shqiptar duhet të dalë para pasqyre dhe të pranoj se të gjithë kemi nga një pjesë të fajit. Sepse ata killera që kanë marrë këto jetë të pafajshme, janë po ata që grabisin votat ditët e zgjedhjeve për llogari të Edi Ramës. Sepse para syve na kanë marrë drejtësinë. Na kanë marrë demokracinë dhe pak nga pak po marrin jetën dhe shkatërrojnë edhe kombin!”, tha Berisha.