Debat dhe akuza në komisionin hetimor për koncesionet në shëndetësi. Socialistët janë kundër shtyrjes së afatit hetimor që kanë propozuar demokratët. Kryetarja e komisionit Albana Vokshi tha se një pjesë e dëshmitarëve po ‘avullojnë’ duke mos u paraqitur për të dëshmuar përmes justifikimeve dhe arsyeve të ndryshme.
Megjithatë thelbi edhe sot nuk ishte hetimi, por fakti që në krah të Vokshit si zv/ kryetar nga socialistët qëndron Plarent Ndreca i cili është marrë i pandehur nga SPAK-u për shpërdorim detyre.
“Besoj se nuk është etike të futemi në diskutime personale” tha Ndreca. Albana Vokshi replikoi duke thënë se “SPAK ka folur, lëre o Plarent se s’të ndihmon kjo gjëja. E moralshëm do ishte të mos ishe më aty, po ky është vendim i partisë tende”.
“Jam avokat vetë, mbrohem vetë, mos u shqetëso fare, u dal gjërave vetë për zot, me shumë qetësi dhe profesionalizëm” u përgjigj Ndreca.
“Zoti Ndreca ka uzurpuar këtë komision, i cili për ironi të fatit po hetohet vetë. Pra, një hetuar që po heton. E madje ka edhe të njëjtin avokat si Ilir Beqaj.
Ne u përjashtuam sepse maxhoranca donte ta bënte vetë hetimin, të kalonte vetë ligjet, u detyruam të mos merrnim pjesë në një komision që e kishim kërkuar vetë, vetëm e vetëm për të mos hetuar, për të prishur hetimin, për të thirrur kë duan vetë vetëm e vetëm sepse duan që të çojnë në drejtim të kundërt hetimin parlamentar.
Ajo që duhet të kërkojmë, është që gjithçka që ka kaluar vetëm nga maxhoranca, duhet të ribëhet përsëri. Mungon një listë e gjatë dëshmitarësh që duhet të kishin ardhur.
Për Ilir Beqajn të duhet një ditë e veçantë, ndaj duhen ditë të tjera, ta shtyjmë dhe duhet edhe ndihma e policisë për ata që refuzojnë të vijnë, që të bëjmë hetim sepse nuk duhet ta bëjmë teatër sepse nëse do e bëjmë gjasme që Ndreca heton Beqajn, më mirë ta mbyllim jo me 14 por me 8 sepse është teatër bajat”, tha Zhupa.