Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha në rrjetin e tij social ka postuar një video ku shprehet se qeveria po i përdor pensionistët për votat elektorale.
Basha thekson se nën pushtetin e Edi Ramës Shqipria ka prodhuar një ekonomi në shërbim të një grsuhti të vogël njerëzish duke i lënë në mjerim pensionistët.
“Shpopullimi masiv dhe taksat e larta kanë dëmtuar sipërmarrjen, duke krijuar pasoja të rënda për skemën e pensioneve, prandaj indeksimet qesharake dhe lëmosha elektorale nuk janë zgjidhje, por arnime.
Pensionistët shqiptarë janë viktimat e keqqeverisjes dhe korrupsionit të përhapur në çdo degë të qeverisjes, ndaj zgjidhja nuk është pikatorja me interesa politike, por një ndryshim rrënjësor që i hapë rrugë një qeverie që kujdeset për pensionistët dhe familjet shqiptare. Një qeveri që i ka shërbyer vetëm vetes në 12 vjet, nuk i shërben dot shqiptarëve edhe për katër vite të tjera.
Pensionistët shqiptarë meritojnë më shumë dhe përmes programit të Demokratëve Euroatlantikë, ne jemi të vendosur të trajtojmë në themel problemet e skemës së pensioneve, që sot është në prag të falimentimit, për shkak të largimit masiv të shqiptarëve dhe rënies së kontributeve.”, shkruan Basha.