Deputeti demokrat, Edi Paloka, ka zbuluar detajet e skenarit të protestës së opozitës që do të mbahet më 26 nëntor në Tiranë. Ai tha se protesta do të përfshijë një bllokim total të rrugëve dhe trafikut në kryeqytet, duke theksuar se do të ketë gjithashtu një pjesë të mesazheve të bëra publike nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Në një intervistë për emisionin Kjo Javë në News24, Paloka shpjegoi se protestat e opozitës janë një përgjigje ndaj qeverisë dhe se bllokimi i rrugëve do të jetë një nga mënyrat për të shprehur pakënaqësinë ndaj politikave të qeverisë.
“Nuk mund të bëjë opozita asnjë lëvizje të detyruar nga kundërshtari. Zoti Berisha ishte larguar nga drejtimi politik, e detyroi kundërshtari të rikthehej. Sot po del skema, ata që e shpallën non grata dhe këta që e mbajnë në arrest janë të njëjtët. Do të bënte gabimin më të madh politik nëse do të bënte një lëvizje të detyruar nga kundërshtari i tij, do të ishte fatalitet. Kurrë nuk do të vinte PD në pushtet nëse do ta bënte këtë lëvizje të detyruar nga Rama.
Së dyti, Sali Berisha është njeriu që pa parti, pa simbole, pa sigël, pa komisionerë, mori 600 mijë vota në zgjedhjet e fundit. Si mund t’i them unë lojtarit më të mirë që kam në ekip, ik ti se kështu ekipi kundërshtar që ata të tregohen më tolerancë dhe të na falin ndonjë gjë… Do të ishte fatalitet. Nesër kur të vijë puna që PD të fitojë zgjedhjet, Sali Berisha ka thënë të vendosin demokratët se kush duan të jetë kryeministër. Ta bëjmë sot të detyruar nga kundërshtari, që është Edi Rama”, tha deputeti.