Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj akuzon se shpërthimet e fundit në veri janë pasojë e politikës së gabuar të qeverisë Kurti.
“Shpërthimi i sotshëm në Ibër si edhe shpërthimi i mëparshëm në Zubin Potok manifeston mungesën e qasjes proaktike të Qeverisë së Kosovës dhe është pasojë e një politike krejt të gabuar të Qeverisë dhe Lëvizjes Vetëvendosje në këtë pjesë të Kosovës.
Institucionet e sigurisë të punojnë ngushtë me KFOR dhe prezencën amerikane. Naivitieti dhe mosnjohuria me esencën e problemit nga ana e zyrtarëve politikë të Qeverisë po rrezikon infrastrukturën strategjike të Kosovës. Mjaft më me filma!”, ka shkruar Haradinaj.
Në dy ditët e fundit, në veri pati disa incidente. Në Zveçan u gjuajtën bomba në stacionin policor dhe në oborrin e komunës. Ndërsa në orët e vona të së premtes, një shpërthim dëmtoi kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin-Potok.