Mediat serbe po shprehin shqetësim për grupin e kualifikuesve të Botërorit 2026, ku Shqipëria ndodhet përballë ekipeve si Anglia, Andorra, Letonia dhe Serbia. Artikujt në gazetat “Alo” dhe “Kurir” theksojnë se ky grup përbën një sfidë të madhe, veçanërisht për Serbinë, e cila duhet të përballojë rivalë të fortë.
Në prag të kualifikimeve për Botërorin 2026, trajneri i kombëtares së Serbisë, Dragan Stojkoviç, ka vlerësuar Shqipërinë si një kundërshtar të fortë dhe në përmirësim të vazhdueshëm.
“Shqiptarët kanë treguar përmirësim në lojën e tyre së fundmi dhe sigurisht që do të jenë një kundërshtar i vështirë. Jam i lumtur që do të luajmë në Tiranë në stadiumin ku u luajt edhe finalja e Conference League. Jam i vetëdijshëm se dy duelet do të jenë interesante për disa arsye të tjera. Për sa na përket neve, nuk vihet në dyshim asgjë që nuk ka lidhje me futbollin. Kemi mundësi të tregojmë veten”– tha ai.
Stojkoviç gjithashtu përmendi se grupi i Serbisë përfshin rivalë të tjerë si Anglia, Letonia dhe Andorra, por theksoi se përballjet me shqiptarët do të jenë veçanërisht interesante.