Një ngjarje e rëndë vandalizmi është regjistruar në kishën “Ngjallja e Krishtit” në Ksamil, ku janë dëmtuar ikonat dhe objektet e tjera të kultit. Sipas At Pandelit, përfaqësuesit të këtij objekti kulti, incidenti ka ndodhur kur kujdestari i kishës ka shkuar për të mbyllur dyert dhe ka hasur në dy persona të dyshimtë. Njëri prej tyre ndodhej brenda kishës dhe po dëmtonte ikonat, ndërsa tjetri qëndronte jashtë për të mbajtur rolin e ruajtësit.
Pasi kujdestari vuri re situatën, dy personat janë larguar me shpejtësi, madje duke e kërcënuar atë. Menjëherë pas incidentit, kujdestari njoftoi policinë, e cila ndërhyri dhe arriti të kapë dy të dyshuarit pranë një stacioni autobusësh.
Aktualisht, ata po merren në pyetje për të zbardhur rrethanat dhe motivet e këtij akti vandalizmi të rëndë.









