Zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, inspektoi punimet për rehabilitimin e plotë të segmentit rrugor Lifaj i Ri-Unaza Bujqësore në Lushnjë.
Ajo theksoi rëndësinë e këtij investimi për zhvillimin bujqësor të zonës, duke ndihmuar fermerët e Krutjës, një nga zonat më të rëndësishme bujqësore të qarkut Fier.
Balluku njoftoi se segmenti do të përfundojë në pranverë, duke përmbushur parametrat dhe standardet e nevojshme.
“Kjo është një rrugë e cila do të ndihmojë zhvillimin bujqësor të të gjithë zonës, duke e ditur dhe duke e njohur shumë mirë që Krutja është një nga zonat më të rëndësishme bujqësore të qarkut më të rëndësishëm bujqësor të vendit tonë, të qarkut Fier”, tha Balluku.
Sipas saj, në fillim të pranverës, ky segment i rëndësishëm për banorët, e veçanërisht për lehtësimin e fermerëve, do të jetë gati brenda parametrave dhe standardeve të parashikuara.
“Do të vijojmë të ndërhymë kudo, për të qenë sa më pranë banorëve e njerëzve të punës, kudo ku ata jetojnë”, u shpreh Balluku.