Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në një konferencë për mediat foli për protestën e opozitës që do të mbahet nesër në Tiranë. Berisha i ftoi të gjithë qytetarët që të marrin pjesë në protestë dhe të rrëzojnë nga pushteti Edi Ramën.
“Ftoj çdo të ri shqiptar të dalë nesër në shesh në përballje me këtë qeveri që nuk meriton asnjë ditë pushteti, që shkatërron ëndrrën më të bukur të një të riu për të jetuar në vendin e tij.
Ftoj çdo rrogëtar të ndershëm të bashkohet me ne, sepse rrogat nuk do jenë kurrë këto që janë sot, rroga mesatare do të shkojë 1200 euro. Ftoj çdo biznesmen të bashkohet pasi ne do ulim me 50% barrën fiskale, do luftojmë me zero tolerancë korrupsionin.
Energjia që sot e paguajmë me 18 lekë do tu shitet me 6 lekë , me një çmim tre herë më të lirë.
Garantoj për transparencë. Ftoj fermerët të bashkohen në këtë protestë, fshati është një përjashtim i madh. Garantoj se pensionet që sot janë 120 euro në fshat, në tre muajt e parë të qeverisjes do jenë 200 euro.
Garantoj një skemë të konsoliduar të subvencioneve për çdo kokë bagëti për çdo njesi prodhimi, do jetë politika jonë transformuese në bujqësi.”, tha Berisha.