Në ora 19:00 ka përfunduar procesi i votimit në të gjithë Kosovën. KQZ-ja pritet të dalë me të dhëna për numrin e saktë të votuesve.
Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim – rrjet organizatash që monitoron proceset zgjedhore – tha se procesi i votimit, që nga hapja e deri në orën 17:00, ka kaluar pa ndonjë incident apo parregullsi serioze, që do ta komprometonin procesin zgjedhor.
“Sa i përket daljes së votuesve, deri në orën 17:00, ajo ishte 38.9 për qind në nivel vendi”, tha Cakolli në një konferencë për gazetarët.
Ai tha se në Prishtinë, në Ferizaj dhe në rajonin e komunave me shumicë serbe është vërejtur dalje mbi mesataren në nivel vendi.
Sa u përket parregullsive, Cakolli veçoi problemin e pasaktësisë së listës së votuesve.
“Vëzhguesit tanë kanë raportuar se mbi 70 për qind e vendvotimeve në nivel vendi, kanë pasur deri në dhjetë raste ku votuesit nuk kanë arritur ta gjejnë vendvotimin e tyre”, tha Cakolli.
“Rreth 20 për qind kanë pasur deri në 50 raste ku votuesit nuk kanë mundur të votojnë, për shkak të pasaktësisë së listës së votimit”, shtoi ai.