Dhjetë vjet më parë, një grup grabitësish të armatosur me kallashnikovë ndërprenë rrugën e dy automjeteve që transportonin 3 milionë euro, të destinuara për dorëzim në Rinas.
Ngjarja u cilësua si një nga grabitjet më të bujshme të kohës, ndërsa tetë autorët e saj konsideroheshin si ekspertë të sulmeve të tilla. Gjatë hetimeve, dyshime ranë edhe mbi katër policët privatë që ishin të pranishëm në vendngjarje.
Ditën e sotme ish-policët Niko Prifti, Afrim Lloha, Alban Sharra dhe Eduart Metollari kanë paditur autoritetet, duke kërkuar dëmshpërblim për burgosjen dhe hetimin e padrejtë, pas viteve të kaluara në paraburgim.
Gjykata e Lartë vendosi se ata nuk kishin kryer asnjë vepër penale në shpërdorim të detyrës, duke çuar në shpalljen e pafajësisë së tyre. Ata u akuzuan për mosaktivizimin në kohë të butonit të alarmit, ndërsa përballeshin me grabitësit e maskuar dhe të armatosur.
Hetimet zbuluan se grupi kriminal pas sulmit përbëhej nga disa prej grabitësve më të rrezikshëm, disa me histori kriminale edhe në Greqi.
Të dënuar me një total prej 100 vitesh burg u shpallën: Dash Kupa, Ernest Kupa, Ditjon Memlika, Admir Çerpja, Fatjon Xhyliu, Dritan Sinani dhe Aleksandër Murataj, të cilët rezultuan të përfshirë edhe në ngjarje të tjera kriminale.