Një person me iniciale M.L., nga Lushnja është arrestuar pasi tentoi ti marrë kartën e kreditit M.T., kundrejt premtimit të një shume prej 50’000 lekë, me qëllim për të favorizuar një subjekt politik në zgjedhje. Pas kryerjes së veprimeve procedurale, Prokuroria Fier ka vendosur që çështja t’i kalohet për kompetencë lëndore Prokurorisë së Posaçme.
“Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, policia gjyqësore, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier, ka kryer arrestimin në flagrancë të të dyshuarit.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka dërguar në Gjykatë kërkesa për vleftësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurimit personal ndaj shtetasit M.L., e cila është miratur nga Gjykata e Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.
Pas kryerjes së veprimeve të ngutshme procedurale, Prokuroria Fier ka vendosur që çështja t’i kalohet për kompetencë lëndore Prokurorisë së Posaçme.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për hetimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale që cenojnë zgjedhjet e lira dhe demokratike”, thuhet në njoftim.