Zbardhen detaje të reja nga arrestimi i drejtuesve të policisë rrugore. Prokuroria e Posaçme SPAK ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me arrestimin e drejtuesit të Policisë Rrugore të kryeqytetit, Roven Zeka dhe dy zyrtarëve të tjerë, Edison Tabaku oficer i Policisë Gjyqësore dhe Sokol Novaku Shef i Sektorit të Aksidenteve në Tiranë.
Më 18 prill, tre zyrtarët u vendosën në pranga për korrupsion pasiv pasi pas një aksidenti të ndodhur më 16 prill, SPAK thotë se drejtori Zeka dhe dy të tjerët i kanë kërkuar 2 mijë euro një gruaje e identifikuar si Anisa Vrioni, e cila kishte bërë aksident.
Shuma e parave u sigurua nga bashkëshorti i saj Ergest Vrioni dhe u dha në mënyrë që Anisa Vrioni mos të arrestohej dhe që të mos nisnin hetimet për aksidentin. Gjatë kontrolleve të kryera për llogari të këtij procedimi janë sekuestruar 2.500.000 lekë dhe 26 mijë euro.