Në emisionin 5 pyetjet nga Babaramo po diskutohet për fushatën elektorale dhe premtimet e liderëve. Kreu i LZHK, Dashamir Shehi tha se Rama e ka kthyer narrativë BE-në, por realiteti është ndryshe, kurse substanca politike ka humbur.
“Në këto zgjedhje ka nevojë edhe për substancë politike, të mbahet edhe përgjegjësi për ato që nuk janë bërë, e kjo politika jonë nuk e njeh këtë pjesë. Kryeministri psh., shumë që ka premtuar nuk i ka bërë, ka sekëlldi nga fushata, ai e di që s’i ka bërë, por thotë do shkojmë në Europë etj. Ndonjëherë e meritojnë edhe termin turmë se duhet të ketë njerëz që bëjnë edhe kritika e t’i thonë “nuk është kështu”. Tani fushata bëhet me LED e jo me postera, ku shfaqen arritjet me pamje, ose me balerina e kërcime, bëhet shou. Rama e ka kthyer në narrativë BE-në, por nga ana tjetër nuk i ka mbajtur premtimet, gjendja ekonomike duket, shëndetësia, arsimi, bujqësia e të tjera. Unë mendoj se Rama nuk e do BE-në, sepse nuk i do policët e Europës këtu. Europa nuk na fut për Ramën apo ndonjë tjetër, por shpresoj të vijë ndonjë tjetër. Përrallis poshtë e lartë në Shqipëri, pa mua nuk shkojmë dot në BE etj. Pse s’na futi për 12 vite ne Rama në BE, por do na fusë tani? Unë mendoj se Rama po na shet një ëndërr”, tha Shehi.