Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se në 11 Maj Partia Demokratike do të marrë rezultatin më të keq që nga ’97. “Nëse do ta bëja unë opozitën time, do ta bëja 1 mijë herë më mirë se këta.
Këta nuk dinë të bëjnë opozitë, por dinë vetëm të vetëshkatërrohen dhe në vetëshkatërrim e sipër të pengojnë sa të munden Shqipërinë dhe t’u nxijnë jetën njerëzve. Prandaj më 11 Maj do të marrin rezultatin më të keq që nga ’97 e këtej”, tha Rama.
Por sa mandate mori PD në 1997?
Në ato zgjedhje morën pjesë 23 parti me 1050 kandidatë për 155 vende. Zgjedhjet u mbajtën me dy raunde, njëri më 29 qershor dhe tjetri më 6 korrik (ku zgjedhjet u përsëritën në 32 zona elektorale).
Në total Partia Socialiste fitoi 101 mandate, 22 proporcional dhe 79 mazhoritar, ndërsa Partia Demokratike fitoi 25 mandate, nga këto 8 proporcional dhe 17 mazhoritar.
Mandatet e tjera janë ndarë mes Social Demokratëve 10, PBDNJ 4 mandate, Balli Kombëtar 3 mandate dhe Aleanca Demokratike 2. Në numër votash, në vitin 1997 PS mori 690.003 vota ose 52,8% dhe PD 336.167 vota ose 25,7%.