Izraeli ndërmori sulme të paprecedenta ndaj Iranit, duke shënjestruar programin bërthamor dhe udhëheqësit ushtarakë të vendit.
Në lidhje me këtë reagoi edhe komandanti i sapokomanduar i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, Mohammad Pakpour. Ai kërcënoi Izraelin që të “hapë portat e ferrit”, si kundërpërgjigje për sulmet në Iran, ku u vra edhe pararendësi i tij, Hossein Salami.
“Si hakmarrje për gjakun e shokëve tanë të rënë, shkencëtarëve dhe qytetarëve, portat e ferrit do të hapen së shpejti për këtë regjim fëmijë-vrasës”, tha Pakpour, në një mesazh të publikuar nga Agjencia Iraniane e Lajmeve, IRNA.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Iranit thërriti ambasadorin e Zvicrës, i cili përfaqëson edhe interesat amerikane në Teheran. “Gjatë takimit, Republika Islamike e Iranit shprehu zemërimin e thellë dhe kundërshtimin e fortë ndaj këtij akti agresioni të Izraelit dhe mbështetjen që i ka dhënë SHBA”, raportoi IRNA.