Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj është shtruar në Klinikën e Psikiatrisë tash prej shtatë ditësh.
Drejtori i Institutit të Psikiatrisë Forenzike, Shpend Haxhibeqiri u shpreh se Murseli do të qëndrojë në institut deri sa të bëhet ekzaminimi i plotë i tij, dhe deri kur mjekët e vlerësojnë se është i mjaftueshëm qëndrimi i tij aty.
Më 4 qershor, trupi gjykues pati miratuar kërkesën e mbrojtjes së Murselit që atij t’i bëhet ekzaminimi psikiatrik. Avokatja e Murselit, Teuta Zhinipotoku, e justifikoi kërkesën e shtruar, duke thënë se klienti i saj ka shpërfaqur gjendje psikiatrike të paqëndrueshme.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 9 qershor lëshoi urdhëresë që Instituti ta bëjë ekzaminimin psikiatrik.