Në orët e para të së hënës, 27-vjeçari Agon Zejnullahu ka vdekur, pak pasi është arrestuar nga policia në Lipjan, për shkak të dyshimeve se po sulmonte automjete e kalimtarë.
Policia e Kosovës njofton se po heton vdekjen e 27-vjeçarit. Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka ndodhur në rrugën “Haradin Bajrami” në orën e parë të së hënës.
“Sot (e hënë), rreth orës 00:15, Policia e ka pranuar informacionin se një person që dyshohej të ishte nën ndikimin e alkoolit, po sulmonte automjete dhe kalimtarë në rrugën ‘Haradin Bajrami’ në Lipjan. Njësitë policore kanë reaguar menjëherë për ta vënë situatën nën kontroll, ndërsa në vendngjarje është thirrur edhe ekipi mjekësor emergjent, i cili ia ka ofruar ndihmën e parë personit në fjalë. Përkundër përpjekjeve, është konstatuar se ai kishte ndërruar jetë”, ka thënë Borovci.
Ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Në një njoftim të Inspektoratit Policor thuhet se është rekomanduar suspendimi i pesë zyrtarë policorë, përfshirë i një rreshteri. Sipas IKP-së, në kuadër të veprimeve hetimore do të përfshihen edhe identifikimi dhe intervistimi i dëshmitarëve okularë të këtij rasti.
Alban Zejnullahu, vëllai i të ndjerit ka thënë se Agroni vdiq si pasojë e dhunës së ushtruar nga policia gjatë arrestimit. Gjithashtu ka thënë se rastin do ta ndjekin deri në fund dhe se familja ka angazhuar një avokat për këtë çështje.
“Ne nuk na ka njoftuar kurrgjë, na e kanë ndërruar dy-tri herë, jo kështu ka vdekur, jo kështu. Pasi i kemi parë videot, e kemi vërejtur që rasti ka qenë krejt ndryshe. Nga dhuna e tepruar e policëve, ka ardhur deri te vdekja edhe në bazë të videos siç duket”, ka thënë ai.









