Më 7 korrik u regjistrua përpjekja e 43-të e pasuksesshme e deputetëve të zgjedhur për të konstituuar Kuvendin e Kosovës.
Sikurse edhe në herët e kaluara, partitë opozitare – përfshirë PDK-në, LDK-në, AAK-në, Nismën dhe Listën Serbe – refuzuan të propozojnë anëtarë për komisionin që do të organizonte votimin e fshehtë për kryeparlamentarin, duke e konsideruar këtë proces si të papajtueshëm me Kushtetutën.
Në votim të hapur, ata e kundërshtuan disa herë radhazi emërimin e Albulena Haxhiut nga Lëvizja Vetëvendosje në këtë pozitë.
Vetëvendosje, e cila fitoi shumicën e votave në zgjedhjet parlamentare të shkurtit, këmbëngul se votimi i fshehtë është legjitim dhe kërkon të ecet përpara.
Deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së dolën në foltore për t’i bërë thirrje Vetëvendosjes që t’i japë fund, siç e quajtën ata, “cirkut politik” – gjë që shtyu kryesuesin e seancës të kërkojë ndërprerjen e fjalës së tyre.
Albulena Haxhiu, kandidate e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, foli pas dështimit të 43-të të konstituimit të Kuvendit. Ajo tha se opozita vazhdon të refuzojë pjesëmarrjen në votim, duke kundërshtuar ndryshimin e rendit të ditës, çka sipas saj nuk është e vërtetë dhe është konfirmuar edhe nga Gjykata Kushtetuese.
Haxhiu theksoi se në seancë nuk lejohet debat dhe përsëriti se do të tërhiqet nëse nuk merr 61 vota në votimin e fshehtë, duke thënë:
“Së pari ne kemi një komision që po përpiqemi ta formojmë që 35 herë. E dyta është e drejta e VV të bëjë propozimin për kryetar të kuvendit, nëse ne pranojmë që të tjerët të na përcaktojnë emrin e kryetarit të kuvendit, kjo bie ndesh me vullnetin e popullit… nëse në votim të fshehtë nuk i kam 61 vota, kam thënë që tërhiqem. Ka qenë qëndrim i njëanshëm i imi, por që është respektuar nga VV.”









