Policia greke vazhdon me hetime intensive pas vrasjes së dyfishtë në kampingun e Finikoundas, ku u qëlluan për vdekje pronari 68-vjeçar dhe kujdestari 62-vjeçar, të dy shqiptarë. Pistat kryesore lidhen me pasurinë, pasi pronari kishte lënë pjesën më të madhe të pronës nipit të tij, i cili është edhe dëshmitar i vetëm i ngjarjes dhe po jep dëshmi kontradiktore.
Autori i dyshuar besohet të ketë ikur në drejtim të Athinës, duke përdorur rrugë rurale, ndërsa kamerat e sigurisë kanë regjistruar lëvizjet e tij. Një ekip policor nga Kallamata dhe Departamenti i Vrasjeve në Atikë po bashkëpunojnë për kapjen e tij.
Testamenti i pronarit, i shkruar vetëm tri ditë para vrasjes, përmban dispozita të qarta për ndarjen e pasurisë, duke lënë pjesën më të madhe nipit dhe gjysmën e një arë kujdestarit të kampingut. Një testament i mëparshëm është në posedim të policisë për krahasim.
Ngjarja ndodhi të dielën në mbrëmje, kur autori hyri me forcë në zonën e pritjes së kampingut dhe qëlloi për vdekje pronarin dhe më pas kujdestarin që tentoi të ikë. Nipi i pronarit, i cili ishte i pranishëm, arriti të largohej.
Autoritetet po vazhdojnë kërkimin dhe marrin dëshmi, ndërsa incidenti po shqetëson komunitetin lokal dhe familjen e viktimave.








