Sokol Sadushi: Në disa pjesë të projektit vërehet një përzierje e paqartë midis dispozitave materiale dhe atyre procedurale, si dhe mospërputhje me Kodin Civil, Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet e tjera. Disa nene që trajtojnë çështje të natyrës procedurale, si ato për masat mjekësore dhe edukuese ndaj të miturve (nenet 116–120), për lirimin me kusht (nenet 175–176) apo pezullimin e veprimtarisë së personave juridikë (neni 125), duhen rregulluar në Kodin e Procedurës Penale, jo në Kodin Penal.
Gjithashtu, neni 546 që parashikon veprën e vetëgjyqësisë përsërit rregullime që tashmë trajtohen nga Kodi Civil, ndërsa neni 539, për mosparaqitjen në seancë gjyqësore, trajton çështje që janë objekt i legjislacionit disiplinor për gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët. Po ashtu, përfshirja e disa shkeljeve të Kodit Rrugor si vepra penale krijon dublim normativ dhe e ngarkon pa nevojë sistemin penal.
Projekti, në vend që të ndërtohet mbi humanizëm, zgjeron logjikën ndëshkuese: neni 72 dhe neni 151 e çojnë burgimin maksimal deri në 45 vjet, duke devijuar nga standardet evropiane dhe duke e kthyer dënimin maksimal në koncept të pafund. Rritja e përgjithshme e dënimeve dhe mungesa e fleksibilitetit në caktimin e tyre rrezikon ta zhvendosë drejtësinë nga humanizmi drejt formësimit mekanik.









