Komisioni për Reformën Zgjedhore u mblodh sot në takimin e radhës për të diskutuar ndryshimet e nevojshme në Kod dhe rekomandimet e dhëna nga raporti i OSBE-ODIHR.
Në tavolinë nuk munguan diskutimet dhe debatet e shumta mes palëve, deputetit demokrat Arjan Ndoja, Oerd Bylykbashi, kurse nga radhët e socialistëve si bashkëkryetar ishte Damian Gjiknuri.
Deputeti demokrat Arjan Ndoja vuri theksin te numri i ekspertëve dhe shkurtimi i kohës.
“Kam propozim për shtimin e numrit të ekspertëve nga palët, ata që japin mendime konkrete dhe çështja tjetër është të shkurtojmë kohën”, tha Ndoja.
Ndërsa, Damian Gjiknuri ra parimisht dakord me kërkesat e opozitës, por u shpreh se nuk ka nevojë për numër të madh ekspertësh sepse thjesht do zgjaste kohën e realizimit të reformës.
“Nëse kemi mundësi ta mbarojmë shpejt, ne nuk jemi kundër, po që sot, pra në janar ta mbyllim. Por kjo nuk është çështje kohe, apo nenesh, por me paaftësinë tonë për të gjetur zgjidhjen dhe dakordësinë. Unë mendoj se shtimi i numrit të ekspertëve nuk e zgjidh çështjen, madje mund të krijojë më shumë zgjatje. Megjithatë për efekt të diskutimeve edhe me bashkëkryetarin vendosëm që nga 4 ta bëjmë në 6 numrin e ekspertëve”, u shpreh Gjiknuri.









