Ambasadori Christopher Hill, një figurë e njohur dhe ndikues në diplomacinë amerikane në Ballkan, ka folur për vendimin e tij të veçantë për të dëshmuar në procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Hagë.
Ai shprehu se dëshmia e tij ishte një akt i përgjegjësisë morale, duke theksuar se, gjatë periudhës së qëndrimit në Kosovë dhe pas vizitave në zona të ndryshme të vendit, nuk kishte parë asnjë provë që Thaçi të ishte i përfshirë në krime lufte. Hill theksoi gjithashtu se, përkundër faktit që UÇK-ja kishte aktorë të pavarur, ai nuk ka parë prova që të konfirmonin se Thaçi kishte udhëzuar ekzekutimin e krimeve të luftës.
“Ai nuk më kërkoi për mbështetje, unë fola me disa njerëz sepse mendoja se ishte një përgjegjësi morale dhe vërtet mendoj se është një përgjegjësi morale. Isha aty, në vende të ndryshme në Kosovë, nuk qëndrova vetëm në Prishtinë, kam qenë në gjithë këto fshatra ku ka pasur krime lufte. Padyshim që ishin krime lufte, ka pasur krime ku autorë kanë qenë serbët kundrejt shqiptarëve, por më falni, ka pasur edhe krime të tjera. Unë ama në atë kohë nuk di asnjë lloj krimi për të cilin mund të thosha se u shkaktua nga z. Thaçi dhe ai tani ka diku tek 5 vite që është në burg, në paraburgim, dhe unë ndjeva se ishte përgjegjësi morale që të shkoja në Hagë, siç bëra, dhe kalova 3 ditë duke dëshmuar dhe ndonjëherë është e vështirë sepse prokurori ishte mjaft i ashpër për këtë çështje, por unë ndjeja se ishte diçka e padrejtë për ta mbajtur atë aty. Shqetësimi im ishte se aty gjatë luftës, unë pashë shumë gjëra gjatë luftës, por asnjëherë nuk pash Hashim Thaçin të vriste njerëz apo të jepte urdhra që të vriteshin njerëz, nuk pash diçka të tillë. Dhe kur mu kërkua që të dëshmoja, pranova.”
/5pyetjet.al









