Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar ndaj deklaratave të Sali Berishës në lidhje me përjashtimin e tij nga partia, duke theksuar se statuti i PD-së nuk parashikon përjashtim për mendim ndryshe, por vetëm për humbjen e zgjedhjeve.
Gjatë një takimi me demokratët në Lezhë, Salianji u shpreh se ka një ndryshim të qartë mes tij dhe drejtuesve të PD-së, të cilët sipas tij janë “humbës serialë” në zgjedhje, ndërsa ai e cilësoi veten si një figurë fituese.
Ai theksoi se demokratët nuk kanë frikë më dhe janë të gatshëm për të ndryshuar lidershipin e PD-së, të cilin e konsideron si pengesë për rikthimin e partisë në pushtet. “Çfarë ju mungon 5-çja fantastike e lidershipit që ta bëjmë PD fituese?” tha Salianji, duke akuzuar kupolën drejtuese të PD-së për të mos lejuar energjinë e demokratëve të shpërthejë për të përmbysur qeverinë e Edi Ramës.









