“PD duhet të përgatitet në mënyrën më serioze për problematikat e mëdha të krijuara nga një regjim 12 vjeçar. Ne e filluam këtë debat dhe përgatitje të programit tonë me infrastrukturën sepse në punët publike të këtij vendi janë bërë vjedhjet më të paimagjinueshme.
Mbi 12 miliardë Euro janë investuar në këto 12 vite në infrastrukturë por vetëm rrasat e gurit në sheshin Skënderbe kanë ngelur”. Kështu deklaroi sonte kryetari i PD-së, Sali Berisha në një takim me Departamentin e Infrastrukturës.
Me të ftuarit e pranishëm, përfaqësues të strukturave të partisë, ekspertë dhe inxhinierë, u diskutua në sallën “Pjetër Arbnori” të selisë së PD-së tematika e infrastrukturës në Shqipëri, duke marrë shkas nga denoncimet për të cilat po hetohet zv/kryeministrja e shkarkuar, pezulluar dhe e pandehur nga SPAK-GJKKO, Belinda Balluku, për abuzime me tenderimet e rrugëve.
“Edi Rama nuk e dorëzon Ballukun te drejtësia, jo më kot e zgjodhi Ballukun në sistemin më të lartë në qeveri. Krijoi një figurë si zv/kryeministrin e korrupsionit në qeveri dhe në krahun tjetër kishte Ergys Agasin. Simbioza më e qartë se si Rama qeveris me pushtetin e korruptuar dhe krimin”, tha deputeti Oerd Bylykbashi.









