Një anëtar i Këshillit Bashkiak nga radhët e Partia e Lirisë ka kritikuar mënyrën se si menaxhohen fondet publike në Tirana, duke theksuar se diferenca mes planifikimit dhe realizimit të buxhetit po ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimeve për qytetarët.
Deklarata e anëtarit të Këshillit Bashkiak në bashkinë e Tiranës, Dr. Artan Distafa
Sot nuk jemi përballë një dështimi të zakonshëm administrativ. Sot jemi përballë një mashtrimi të madh publik. Tirana është kthyer në qytetin e miliardave në letër dhe dështimeve në terren. Sipas të dhënave zyrtare, Bashkia e Tiranës planifikon buxhete gjigante, deri në 57.5 miliardë lekë, por arrin të shpenzojë vetëm rreth 53% të tyre. Dhe pjesa më e rëndësishme, ajo që prek drejtpërdrejt jetën e qytetarëve, investimet, realizohet vetëm në 35%.
Një model që funksionon vetëm në propagandë. Ata dinë të bëjnë një gjë shumë mirë: Të miratojnë buxhete të mëdha për kamera. Të premtojnë projekte për fushata. Por kur vjen puna për t’i kthyer këto në punë konkrete, zhduken! Ndërkohë qytetarët e Tiranës jetojnë çdo ditë realitetin: trafik, ndotje, mungesë shërbimesh, mungesë investimesh reale.
Kjo është e vërteta e Tiranës sot, një qytet që mbytet në premtime dhe varfërohet në shërbime. Dhe pyetja që me të drejtë bëjmë ne dhe çdo qytetar është shumë e thjeshtë:
Ku janë paratë? Pse nuk shpenzohen? Kush mban përgjegjësi për këtë dështim? Sepse kjo nuk është më statistikë. Kjo është cilësia e jetës së çdo qytetari. Ne nuk mund të pranojmë më një bashki që funksionon si zyrë propagande dhe jo si institucion në shërbim të njerëzve. Tirana nuk ka nevojë për miliarda në letër. Tirana ka nevojë për punë në terren. Dhe mbi të gjitha, Tirana ka nevojë për llogaridhënie.









