Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale vizitoi Qendrën Multifunksionale në Vorë, ku u takua me 25 të rinj që janë aktivë në programe vullnetare dhe shërbime për komunitetin.
Gjatë vizitës, ministrja vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet qeverisë, pushtetit vendor dhe partnerëve ndërkombëtarë për të ofruar mbështetje sociale dhe për të fuqizuar angazhimin e të rinjve.
“Jam vërtet e kënaqur që po vizitoj këtë qendër multifunksionale këtu në Vorë. Është një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit ndërmjet qeverisë, pushtetit lokal dhe institucioneve ndërkombëtare. Nëpërmjet këtij bashkëpunimi dhe angazhimit të vullnetarëve, janë ndihmuar rreth 47 mijë persona dhe janë ofruar 98 shërbime të ndryshme. Këtë model duhet ta zgjerojmë më tej në të gjithë Shqipërinë. Ndihma që jepni njerëzve që kanë nevojë është e pazëvendësueshme. Vazhdoni ta bëni, sepse shoqëria ka nevojë për këtë energji, kreativitet dhe qasje pozitive ndaj njëri-tjetrit dhe komunitetit shqiptar,” tha ministrja Sala.









